Drejtori i ESSH, Simovski: Regjistrimi pa përkatësi etnike dhe fetare vështirë të zbatohet, por ne i kemi arsyet tona

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se në shoqërinë tonë, një propozim i këtillë nuk mundet lehtë të pranohet nga opinioni plotësisht i politizuar, për atë e nisëm fushatën që t’i sqarojmë arsyet se pse japin propozim të këtillë”, kështu deklaron për Portalb.mk, drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simovski, në lidhje me propozimin e tyre që në regjistrimin e popullsisë që duhet të realizohet në vitin 2020 të fshihen grafët e përkatësisë etnike dhe religjioze, për të cilin pati reagime nga partitë, veçmas nga opozita shqiptare, njofton Portalb.mk.

“Regjistrimi i popullsisë nuk është operacion politik, por statistikor dhe qëllimi themelor i saj është që të mundësojë të dhëna në bazë të të cilave do të ndërtohen dhe zbatohen politikat e zhvillimit (ekonomik, social, demografik, ndërtimor etj.), si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal. Të dhënat nga regjistrimi, përveç kësaj, shfrytëzohen edhe për qëllime shkencore. Prej këtu, grafët për përkatësi religjioze dhe etnike, nuk kanë asnjë vlerë të përdorshme për qëllimet e lartpërmendura të të dhënave nga regjistrimi. Përkundrazi, ata vazhdimisht janë shfrytëzuar vetëm për qëllime politike-ditore”, thotë Simovski, duke shtuar se në fund, opinioni është ai i cili do të vendos nëse këto grafa do të ngelen ose do të largohen nga regjistrimi.

I pyetur nëse është në kontakt me përfaqësuesit e Qeverisë dhe partitë politike në lidhje me propozimin në fjalë, pasi që fundja, ekzekutivi duhet ta miratojë dhe më pas në Kuvend duhet të votojnë deputetët, drejtori Simovski paralajmëron takim jo-formal me grupet parlamentare.

“Ne, jemi të gatshëm që në këtë temë, por edhe për çfarëdo tjetër lidhur me regjistrimin e popullsisë, të bisedojmë me të gjithë, ndërkaq planifikojmë edhe takim jo-formal me grupet parlamentare në Kuvend”, thotë Simovski për Portalb.mk.

Ndryshe, paralajmërimi i drejtorit Simovski, që regjistrimi i popullsisë të bëhet pa deklarimin e përkatësisë fetare dhe etnike të popullatës ka shkaktuar reagime negative kryesisht te partitë shqiptare, duke e pasur parasysh karakteristikën e shtetit multietnik të Republikës së Maqedonisë, por edhe mungesën e gjatë të regjistrimit.

Asnjë nga partitë deri më tani nuk e ka përkrahur hapur këtë ide. LSDM-ja është e qëndrimit se “është më e logjikshme të ketë grafë të përkatësisë etnike”, ndërkaq VMRO-DMNE-ja dhe BDI-ja ende nuk kanë ndërtuar qëndrim për të njëjtën. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjet BESA janë kundër propozimit të Simovskit.

Propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë do ta përgatit Enti Shtetëror për Statistika, ndërkaq për shkak se nuk kanë të drejtë që ata të propozojnë ligj, zyrtarisht do ta përfaqësojë Ministria e Drejtësisë. Propozim ligji duhet të përgatitet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. Sipas informatave të Portalb.mk, propozim-ligji këto ditë duhet të publikohet në Regjistrin Nacional Elektronik, ku për 20 ditë do të jetë i hapur për diskutim dhe shqyrtim publik. Në këtë fazë, të gjithë kanë të drejtë të japin sugjerime dhe vërejtje për propozim-ligjin, të cilat do të duhet të merren parasysh për versionin final të propozim-ligjit. Pas kësaj, i njëjti do të duhet të dorëzohet në Qeveri për miratim, ndërkaq më pas nëse Qeveria e miraton dërgohet për procedurë parlamentare. Regjistrimi i fundit i popullsisë Maqedoni u realizua në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por nuk u realizua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button