Për furnizimin e autoambulancave ministri Filipçe bazohet në standard që nuk ekziston!

Furnizimi i 12 autoambulancave të Ndihmës së Shpejtë, dhe shpërndarja e 6 prej tyre vetëm në Shkup, siç u kumtua në media dhe nga Ministria e Shëndetësisë, u bazua në kriterin “që për 50 mijë banorë duhet të ketë 1 autoambulancë”. Si Ministria ashtu edhe disa prej mediave e cituan Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), madje disa thanë se është kriter evropian, por askush nuk e bëri publik dokumentin e standardit të cituar. Dyshimet janë se Ministria nuk ka kriter të caktuar dhe madje thirret në kriter i cili nuk ekziston, transmeton Portalb.mk.

Publikimi i OBSH-së për Ndihmën e Shpejtë
Publikimi i OBSH-së për Ndihmën e Shpejtë

Portalb ka një kohë të gjatë që është duke e hulumtuar mënyrën e funksionimit të shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni dhe në shtetet tjera, por për numrin e autoambulancave nuk ka hasur ndonjë kriter. I vetmi publikim i OBSH-së që është onlajn, shkruan për buxhetin, numrin e ekipeve, numrin dhe llojin e autoambulancave të Ndihmës së Shpejtë në shtetet evropiane si dhe në shtetet pretendente të jenë pjesë e BE-së, por në të nuk është caktuar kriter “për sa banorë duhet të shërbejë një autoambulancë e Ndihmës së Shpejtë.”

Në konferencën për media që u mbajt më 17 nëntor të 2018-s, ku u kumtua për furnizimin e 12 autoambulancave, dhe u tha se me këtë furnizim përmbushen standardet e OBSH-së.

Pjesë nga kumtesa e Ministrisë së Shëndetësisë
Pjesë nga kumtesa e Ministrisë së Shëndetësisë

“Sipas rekomandimeve të Bankës Botërore të Shëndetësisë, në 50 mijë banorë, duhet të ketë një veturë të Ndihmës së Shpejtë. Deri tash në qytetin e Shkupit ka pasur 6 vetura. Me këtë furnizim, sigurohen edhe 6 vetura shtesë, me çka do të shtohet kapaciteti i Ndihmës së Shpejtë për 100 për qind, por njëkohësisht përmbushen standardet e OBSH-së”, tha Filipçe.

Kriterin disa media e transmetuan si standard të OBSH-së, disa të tjera si standard evropian, por asnjëra nuk vendosi link dhe nuk publikoi dokument nga standardi.

Për më tepër, në një ngjarje më vonë, Portalb pyeti ministrin se: “Ku mund të sigurohet publikimi apo raporti i OBSH ku shkruan kriteri i thirrur?”, por edhe pse ministri Filipçe premtoi se do të na jepet nëpërmjet kabinetit, një gjë e tillë nuk u mundësua. Na drejtuan te filiali i OBSH-së në Shkup. As këta të fundit nuk kanë publikim.

“Ka standarde të cilat thonë se sa vetura duhet për numër të qytetarëve, dhe përpiqemi të afrohemi ndaj atyre standardeve. Në këtë moment jemi shumë larg atyre standardeve”, u përgjigj në pyetjen e Portalb-it se në cilin standard është bazuar kur vendosi të furnizojë 12 autoambulanca, ministri Filipçe.

Pjesë nga lajmi ku për herë të parë është përdorur kriteri
Pjesë nga lajmi ku për herë të parë është përdorur kriteri

I pari që e kishte cekur kriterin në media është shefi i shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në Shkup, mjeku Georgi Karamanovski, i cili thotë: “Sipas rekomandimeve të Bankës Botërore të Shëndetësisë, për 50 mijë banorë duhet të ketë një veturë ambulancë, kurse ke ne për tërë qytetin, në një ndërrim 12 orësh, ka vetëm 6 ekipe”, tha Karamanovski për SDK.

Kërkuam kontakt me Karamanovskin nga Shtëpia e Shëndetit Publik në Shkup, por nga atje nuk u mundësua një gjë e tillë, edhe pas 4 ditësh pa përgjigje. Megjithatë ato pohuan: “Kriteri i përdorur nga mjeku është marrë nga Shtëpia e Shëndetit”, megjithatë në insistim nga ne që të sigurojmë publikimin e kriterit të përdorur, ata na dërguan vetëm dekretin për Ndihmën e Shpejtë ku jepen kushte për numrin e ekipeve, por jo edhe të autoambulancave.

Sërish u kontaktua ministri Venko Filipçe, i cili tha se personalisht do të na i dërgojë linqet, dhe u dërguan dy: i pari: KËTU dhe i dyti: KËTU, të cilat sërish, nuk shkruajnë për këtë kriter.

Asnjëra dhe tjetra nuk ka kriter ku thuhet qartë: “Se për 50 mijë banorë duhet të ketë një autoambulancë”.

Kërkohet:

  • Që ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të dalë publikisht dhe të kumtojë se furnizimin e 12 autoambulancave të Ndihmës së Shpejtë e ka bazuar në kriter që nuk ekziston.
  • dhe të tregojë se është kryer testim paraprak nga Ministria e Shëndetësisë për gjendjen e shërbimit të Ndihmës së Shpejtë, në cilën nivel janë vërejtur lëshime.

LEXO më shumë për dosjen: Joefikasiteti i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button