Politikën e brendshme të mirë s’e zëvendëson gjeopolitika

I vetmi ministër që po shfaq veprim në nivelin e pritur, në raport me përgjegjësinë për vetë skandalin e arratisjes së ish kryeministrit, është ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov. Deklarata e tij lidhur me strehimin e Gruevskit në Hungari është e vetmja nga një pjesëtar i qeverisë që shpreh qëndrim parimor për ngjarjet dhe shpreh shqetësim për shtetin e së drejtës. Madje ministri nuk u përpoq të manipulonte me kompetencat e tij kur tha se « Ne kemi edhe interesa të tjera. Kemi interes që Hungaria të na mbështesë për anëtarësimin në NATO ». Vetëm parimisht, pa bërë asnjë premtim konkret, ai shprehu vendosmëri se do ta hapë këtë temë me homologun e tij hungarez në takimin që do ta ketë më 4-5 dhjetor.

Zhvillimet e fundit alarmojnë për funksionimin e qeverisë. Reagimet për dështimin më të madh të këtij viti, kanë reflektuar mungesë përgjegjësie përpara opinionit publik në nivelet profesionale që duhej të demonstronte secili dikaster përgjegjës. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme, të dyja të drejtuara nga politikanë maqedonas, po marrin disa masa të cilat duken si të ishin masa rutinore në një situatë normale dhe jo masa të një situate post-skandali. Këto dy ministri po mundohen maksimalisht të minimizojnë jehonën dhe pasojat e mos-veprimit të tyre. Madje, qetësia me të cilën paraqitet para medias ministria e drejtësisë për arratisjen e një kryekrimineli si Gruevski dhe afatet kohore 3-vjeçare që ajo prezanton për bashkëpunim eventual me Hungarinë, shkaktojnë efekt të kundërt, shqetësim në opinionin publik. As vetë kryeministri nuk arriti dot në asnjë nga këto ditë të artikulonte sinqerisht përgjegjësinë e njerëzve të tij të afërt as për atë çfarë ndodhi, e as atë çfarë pritet të ndodhë me shtetin e së drejtës, me katastrofën ekonomike që shkaktoi Gruevski & co si edhe me demet politike të dhjetë viteve të mbajtjes së Maqedonisë larg proceseve të eurointegrimeve.

Qeveria e Z. Zaev është në vitin e dytë në pushtet dhe deri tani duhej të kish ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e reformave. A nuk duhet tani të mbajë përgjegjësi për mos-veprim ? Reformat e kërkuara me aq ngulm përse nuk u nisen me urgjencë, kur dihej se nga regjimi i Gruevskit u trashëgua një sistem i inkriminuar që do të bënte gjithçka për të penguar drejtësinë dhe për të shpëtuar klikën e VMRO-se nga akuzat për krime? Edhe njohësit e fushës si Pavle Trajanov arrijnë sot në përfundimet se « përgjegjësia e përgjithshme për këtë bie mbi Qeverinë, e cila duhet të konsolidojë shërbimet e sigurisë që të mund të funksionojnë ashtu siç duhet, në drejtim të vendosjes së rendit » (Radio Evropa e Lirë cituar në Portalb.mk).

Në një shtet normal do të duhej që deri më sot të kishin dalë përgjegjësitë për arratisjen e shekullit. Edhe pse policia dhe gjykatat ia hedhin fajin njera-tjetrës për mos-veprim dhe mos-koordimin, është e pamundur që i gjithë sistemi të mos ketë informacionin e plotë, edhe pas kaq ditësh, sesi Gruevski kaloi çdo filtër në këtë shtet. Sigurisht që ka. Por në këtë pikë lind pyetja : Këto shërbimet e sigurisë qenkan besnike deri në vdekje ndaj Gruevskit dhe pushteti i sotëm e ka të pamundur ti depërtojë ? Nëse është kështu, këta që drejtojnë sot Drejtësinë dhe Policinë janë të paaftë për punë të mëdha. Ose përndryshe, rrjedhimisht arrijmë në konkluzion se shërbimet kanë pasur Amin-in e eprorëve të tyre aktualë për të lejuar arratisjen e një të dënuari vip-p nga gjykatat. Si njëri variant, ashtu edhe tjetri, është tregues shumë negativ për veprimet dhe mosveprimet e qeverisë sonë aktuale. Nuk ka asnjë mundësi që një qeveri e cila kthen në anën e vet tetë deputetë opozitarë madje disa deputetë që vetëm një vit e gjysëm më parë hapën dyert e parlamentit për terroristët dhe çuan pranë vdekjes përfaqësues të popullit, një qeveri që arrin të përçajë Vmro-në, të mos ketë gisht në arratisjen e ish kryeministrit tek procesi ndaj të cilit i ka sytë i madh e i vogël në këtë vend !

Mos nxjerrja e përgjegjësive sot, është një paralajmërues për vazhdimësinë e procesit. Unë e kuptoj shumë mirë mesazhin e ministres së drejtësisë Deskovska kur thotë se azili i Gruevskit në Hungari do të shqyrtohet çdo tre vjet etj. etj. E kuptoj edhe kryeministrin Zaev kur thotë se përgjegjësitë « do të dalin » përfshirë edhe atë vetë, sepse është e sigurt që kryeministri nuk do të dalë vetë përgjegjës. E kuptoj mirë edhe Dimitrovin kur thotë se ne jemi një vend i vogël që tek Hungaria kemi interesa më të mëdha sesa ekstradimi i Gruevskit. E ndërkohë që ne na mbetet vetëm humbja e viteve të tëra nga ecuria e proceseve të ëndërruara euro-integruese, na mbetet vetëm dëshpërimi se i pari dhe më i keqi i atij sistemi që sapo e përmbysëm me shumë mundim iku, i shpëtoi vuajtjes së dënimit, na mbeten qindra milionë euro të vjedhura nga Gruevski, nga Hungaria vijnë mesazhe politike të rënda për ne pas gjithë këtyre, se azilanti i privilegjuar do të mund të lëvizë lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Europian me dokument udhëtimi ! Ndërsa neve, që Gruevski me të gjitha mjetet na mbajti jashtë Bashkimi Europian na mbetet tani të shpresojmë tek gjeopolitika e mirë. Të shpresojmë në mënyrë fëminore se Hungaria do të jetë aq e sjellshme sa te na e rikthejë ish-kryeministrin që e strehoi pikërisht sepse e ka mik te idealeve dhe që i akordoi azil brenda një jave. E vetmja forcë madhore që mund të detyrojë një shtet si Hungaria, me kryeministër Viktor Orbanin, është ndoshta trysnia që mund të ushtrojë ndaj saj komuniteti ndërkombëtar. Në këtë kontekst ishte shpresëdhënëse deklarata e eurokomisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn në Twitter i cili sipas medias, ka shkruar se « Është befasuese që Hungaria të mbështesë anëtarësimin në BE të Maqedonisë, por pa e konsideruar atë një vend të sigurt ». Pra, në çdo rast, Hungaria nuk do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën e saj për zhvillim demokratik dhe integrim europian. Prandaj, i bëj thirrje ministrit të jashtëm maqedonas dhe gjithë strukturave të tjera shtetërore që t’ia kërkojnë Gruevskin palës hungareze me të gjitha mjetet ligjore dhe pa asnjë hezitim sepse kjo i shërben stabilizimit të brendshëm të shtetit dhe asnjë gjeopolitike e mirë nuk vlen aq sa të mund ta zëvendësojë atë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button