Viti 2019, për kulturë janë ndarë 3,1 miliardë denarë: Qasje në kulturë për të gjithë qytetarët

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi në konferencë për media ka njoftuar për buxhetin e vitit 2019, i cili arrin shumën deri më 3,1 miliardë denarë. 92 për qind e mjeteve janë paraparë për financim të veprimtarive nga sfera e kulturës dhe 8 për qind për shpenzime të administratës së Ministrisë dhe mbrojtjes së trashëgimisë. Parashihen rikonstruime të objekteve kulturore dhe decentralizim indirekt i investimeve kapitale kulturore, transmeton Portalb.mk.

32 për qind e 2 miliardë e 925 milionë e 166 mijë denarë të mjeteve të parapara për veprimtari kulturore, janë paraparë për aktivitete kulturore, që sipas ministrit Ademi kjo do të mundësojë qasje në kulturë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

“Kjo e dhënë na jep bazë të qëndrueshme të besojmë se do të mundësojmë kushte bazë që të synojmë një nga detyrimet, dhe ajo është qasje në kulturë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Ademi.

Në krahasim nga viti 2018, kur për subvencione dhe transferime ishin paraparë 904 milionë denarë, në vitin 2019 janë ndarë 936 milionë denarë.

Meqë me rebalancin buxhetor të vitit 2018, u parapanë mjete për projektin që është në rrjedhë “Evropianët e rinj”, për vitin 2019 Ministria e Kulturës, për të njëjtin ka paraparë 10 milionë denarë.

Buxheti i Ministrës së Kulturës për vitin 2019

Decentralizim indirekt i institucioneve kulturore në investime kapitale

Një risi, që mund të konsiderohet si decentralizim indirekt i institucioneve kulturore, është parashkimi i mjeteve për realizim të dotacioneve dhe të investimeve kapitale nga njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Nëse për këtë qëllim, në vitin 2018 ishin paraparë 10 milionë denarë, në vitin 2019 janë paraparë 125 milionë denarë.

“Do të hapet thirrje për njësitë e vetëqeverisjes lokale, ku do të shpallen kriteret dhe në mënyrë transparente do të kuptohet se nga kush dhe për çfarë do të përdoren këto mjete, dhe nga cila komunë. Kjo është diçka që bëhet, mund të themi për herë të parë. Përparësi do të kenë komunat rurale. Ato do të aplikojnë me projekte, dhe përparësi do të kenë projektet të cilat tashmë kanë leje për ndërtim dhe projektet të cilat mund ta mbyllin konstrukcionin financiar. Vendimet e aplikimeve do të sillen nga komisioni i cili do të formohet në kuadër të Ministrisë së Kulturës”, tha Ademi.

Përfundime dhe vazhdim i rikonstruimeve dhe ndërtimeve të objekteve

Me buxhetin e vitit 2019, janë paraparë edhe mjete për rikonstruim të Qendrës së Kulturës në Gostivar dhe të Teatrit të Kumanovës.

Në vitin 2018 u parapanë nga 250 milionë denarë për Teatrin e Tetovës dhe të Shkupit për përfundim të punimeve, punimet nuk përfunduan, mjete për të dy institucionet u parapanë edhe me buxhetin e vitit 2019, për atë të Tetovës – përfundimin e fazës së parë të ndërtimit – 100 milionë denarë, dhe për Teatrin e Shkupit – nisjen e punës – 50 milionë denarë.

“Për Teatrin Shqiptar në Shkup janë paraparë 50 milionë denarë, me çka besojmë se përfundimisht do të përfundojë rikonstruimi i atij objekti dhe do të jepet në përdorim. Ndërsa për përfundimin e fazës së parë të objektit të Tetovës janë paraparë 100 milionë denarë. Pikë së pari le të përfundojë faza e parë e ndërtimit të Teatrit të Tetovës, pastaj duhet të hapet tenderi publik. Presim që projekti të jetë gati, që të merren të gjitha lejet e nevojshme, e pastaj të hapet tenderi për fazën e dytë”, tha Ademi.

“Për Teatrin e Tetovës kjo vlerë do të thotë përfundim i punimeve, mirëpo për shkak të disa punimeve shtesë, lëshimi zyrtar i këtij objekti do të ndodh në vitin 2019. Është hera e parë që Ministria e Kulturës lëshon kaq mjete për investime në këto dy institucione”, pati deklaruar sekretari shtetëror kulturor, Valmi Aziri në vitin 2017.

80 punësime në Ansamblin Shtetëror Shqiptar

Janë paraparë mjete edhe për punësim të 80 individëve në Ansamblin Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë, i cili nuk ka objekt të vetin vetanak, ndërkohë që do të shfrytëzojë një objekt në komunën e Çairit, emri i të cilit do të kumtohet në mënyrë shtesë nga Ministria e Kulturës.

“Këtu hynë trupa e ansamblit, administrata, komplet. Për objektin nuk është vendosur diçka. Është caktuar lokacioni për funksionimin e Ansamblit, dhe ai është në Çair dhe ka kaluar me vendim qeveritar. Nuk e kam këtu që t’ua tregoj edhe adresën e objektit. E kemi emrin, nëse doni do t’ua dërgojmë në mënyrë shtesë”, tha Ademi.

LEXO: Dita e Flamurit – Ansambli Shqiptar i Maqedonisë do të nis rrugëtimin artistik (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button