Pretendohet se kanë lindur foshnjat e para gjenet e të cilëve janë modifikuar

Një hulumtues kinez pretendon se kanë lindur foshnjat e para gjenet e të cilëve janë modifikuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e agjencisë Associated Press (AP) i është kushtuar vëmendje pretendimeve të He Jiankui, i cili pasi ka kryer studimet në universitetet Rice dhe Stanford në SHBA, është kthyer në vendlindjen e tij në Kinë, ku ka themeluar laborator në Universitetin Jugor të Shkencave dhe Teknologjisë në qytetin Shenzhen.

Ai theksoi se ka bërë ndryshime në ADN-të e embrioneve të shtatë çifteve gjatë trajtimit të fertilitetit dhe se dy vajzat binjake të para kanë lindur këtë muaj.

Theksohet se në 16 prej 22 embrionet që ishin në laborator janë bërë ndryshime gjenetike, ndërsa 11 embrione janë vendosur në mitrën e nënës prej të cilëve kanë lindur “Lulu” dhe “Nana”, vajza binjake.

Jiankui tregoi se në hulumtimin e tij është munduar që të neutralizojë gjenin CCR5 që formon derën e proteinës që mundëson hyrjen e HIV-it, që shkakton AIDS-in, në qelizë.

Shkencëtari kinez shtoi se familjet që kanë marrë pjesë në këtë hulumtim nuk dëshirojnë të zbulojnë identitetin e tyre ose të japin intervista.

Në rast se hulumtimi i cili ende nuk është konfirmuar nga ndonjë organizatë e pavarur dhe nuk është publikuar në ndonjë revistë shkencore del të jetë e vërtetë, pritet që të shkaktojë debate të mëdha në lidhje me shkencën dhe etikën.

Shumë shkencëtarë janë të mendimit se nuk është e sigurtë që të modifikohet gjeni njerëzor në fazën e embrionit, ndërsa disa prej tyre e dënuan këtë punim shkencor.

Në shumë vende të botës modifikimi i gjenit njerëzor është i ndaluar. Në Kinë nuk lejohet klonimi i njeriut, por nuk bëhet fjalë për ndonjë ndalim në lidhje me modifikimin e gjenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button