Kukës, shiu shuan të gjitha zjarret

Zjarret e shumta në pyjet e Kukësit që kanë shkrumbuar qindra hektarë, u shuan mbrëmjen e shkuar, pas reshjeve të shiut që vazhduan deri në orët e vona të darkës.

Ndërhyrja e ushtrisë, e mjeteve zjarrfikëse si dhe ndërhyrje nga ajri, nuk dhanë rezultatin e duhur, por reshjet që erdhën dje pas rreth 4 muajsh, i dhanë fund makthit të flakëve që po shkrumbonin ç’të gjenin përpara, raporton Starti.

“Nga informacionet e para që kemi, të gjitha vatrat e zjarrit në masivet pyjore të qarkut të Kukësit janë shuar. Në normalizimin e situatës  kanë ndikuar ndjeshëm reshjet e shiut”, tha përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në  prefekturën e Kukësit, Azem Tema. 

Sipas të dhënave, këtë verë, nga zjarri u përfshinë masive të tëra pyjesh në malin e Koretnikut, të Gjalicës, në zonën e Arrnit, të Malziut etj, në rrethin e Kukësit, në zonën e Nikaj Mërturit, Valbonës, të Bujanit etj, në rrethin e Tropojës, ndërsa në rrethin e Hasit zjarri përshkroi vetëm masivin pyjore pranë fshatit Pogaj. 

Paraprakisht mendohet  se nga zjarret janë djegur rreth 300 ha pyje, ndërsa janë  në ndjekje penale 4 persona për zjarrvënie të qëllimshme./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button