Policia amerikane ndërhyn me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve në kufi

Policia amerikane ndërhyri me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve të ardhur nga vendet e Amerikës Qendrore të cilët tentuan të kalonin muret kufitare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një grup emigrantësh që ndodhen në qytetin Tijuana të Meksikës në kufi me Kaliforninë e SHBA-ve, tentuan të kalojnë murin prej metali mes dy vendeve gjatë një proteste të zhvilluar për shkak të procedurave të ngadalta të aplikimeve për azil.

Për shkak të ngjarjeve, Njësia e Mbrojtjes Doganore dhe Kufitare e SHBA-ve mbylli kufirin dypalësh për kalimtarët, ndërsa forcat e sigurisë ndërhynë me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve që tentuan të kapërcejnë muret.

Në pamjet e publikuara në televizionet e Meksikës vërehet se disa nga protestuesit tentojnë të ngjiten mbi murin e metaltë dhe disa të tjerë të kalojnë poshtë tij.

Nga gazi lotsjellës u ndikuan gra dhe fëmijë

Pas ndërhyrjes së policisë amerikanë me gaz lotsjellës protestuesit të cilët kishin arritur të kalonin në anën tjetër të murit mbetën të detyruar të kthehen.

Në ndërhyrjen ku kryesisht u prekën gratë vërehet se edhe një fëmijë emigrant ka vështirësi në frymëmarrje. Gjithashtu është vërejtur se forcat e sigurisë kanë shtuar praninë e tyre dhe se pas ngjarjeve në rajon ka fluturuar një helikopter.

Gazetari i Milenio në rajon ka bërë të ditur se emigrantët të cilët e kanë filluar protestën në mënyrë të qetë kanë nisur të ngjiten në mur përnjëherësh dhe se pas kësaj ka ardhur edhe ndërhyrja e policisë amerikane.

Ndërsa një prej emigrantëve që ka folur me gazetarin është shprehur se “Ndodhemi përpara murit të Trumpit, të shikojmë se çfarë do të ndodhë? Nëse kalojmë do të vazhdojmë, nëse jo do të kthehemi”.

Ndërsa një tjetër emigrantë është shprehur se “Ose do të fitojmë ose do të vdesim këtu, sepse në vendin tonë ne vuajmë prej vitesh”.

Alfonso Navarrete Prida, një prej zyrtarëve të qytetit Tijuana në një deklaratë në lidhje me ngjarjen, ka theksuar se kanë dijeni që ngjarja është nxitur nga 3-4 persona dhe se veprime të tilla janë në dëm të emigrantëve.

Parashikohet se grupi i emigrantëve mund të qëndrojë për disa muaj në qytet për shkak se zyrtarët e doganës së SHBA-ve mund të kryejnë veprimet e aplikimeve për jo më shumë se 100 emigrantë.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kishte deklaruar se asnjë person nga karvani i 7 mijë emigrantëve që u nisën për të arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Amerika Qendrore nuk do të pranohet në vend pa miratimin e gjykatës

“Ne do të lejojmë vetëm ata që vijnë ligjërisht në vendin tonë. Përveç kësaj, politika jonë shumë e fortë është ‘kap dhe arresto'”, ishte shprehur ndër të tjera Trump.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button