ANALIZË: Sa para do të shpenzohen nga ministritë dhe agjencitë shtetërore në vitin 2019?

Në buxhetin e vitit 2019 parashihen më shumë para për Komisionin shtetëror të zgjedhjeve, Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes kornizë, Sekretariatin për çështje evropiane, Avokatin e popullit. Agjencia e re për zbatimin e gjuhës do të ketë në dispozicion pothuajse 140.000 euro. Me buxhete më të mëdha do të disponojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Mbrojtjes. Portalb.mk i analizon shpenzimet e ministrive, agjencive shtetërore, organeve rregullatore në vitin e ri 2019.

Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), sipas shumës së buxhetit, renditet ndër të parat në listë, me shpenzime të përgjithshme prej 177.2 milionë euro në vitin 2019 dhe në raport me pozicionet e sivjetme në buxhetin themelor, ato janë rritur për pothuajse 27 milionë euro. Në kuadër të MPB-së janë planifikuar 11.4 milionë euro për reformën e policisë, për reforma në institucionet ndëshkuese-përmirësuese janë paraparë 3.1 milion euro, ndërsa për ndërtimin, rikonstruimin dhe pajisjen e burgjeve, 1 milion euro. Për rrogat dhe kompensimet në këtë ministri, janë planifikuar 125.1 milionë euro, shumë kjo e cila në krahasim me vitin aktual, është rritur për 6.4 milionë euro.

Ministria e Shëndetësisë

Vitin e ardhshëm, kjo ministri do të ketë një nga buxhetet më të mëdha në vlerë prej 105.3 milionë euro. Për rikonstruimin dhe ndërtimin e objekteve shëndetësore, në këtë ministri janë  planifikuar mjete në vlerë prej 3.2 milionë eurosh, ndërsa për pajisje mjekësore, 4.3 milionë euro. Për njërin nga projektet më strategjike në shëndetësi – qendrën e re klinike në Shkup dhe në Shtip, janë planifikuar mjete në vlerë prej 9.5 milion eurosh, ndërsa për spitalin e përgjithshëm në Kërçovë, 2.2 milionë euro.  Nëpërmjet kësaj ministrie, Agjencia për barna vitin e ardhshëm do të marrë pothuajse 2 milionë euro. Për pagesën e administratës janë rezervuar 23.3 milionë euro.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale

Buxheti që do ta ketë në dispozicion kjo ministri për vitin e ardhshëm është zvogëluar. Kështu, në vitin 2019, shpenzimet e përgjithshme të kësaj ministrie do të arrijnë në 4.5 milionë euro. Këtë vit ata janë në pozitën 7.1 milion euro, në kuadër buxhetit bazë. Për bashkëpunim ndërkufitar, janë planifikuar mjete në vlerë prej 4 milionë eurosh, ndërsa për zhvillimin e barabartë rajonal, 1.4 milionë euro. Për rroga dhe kompensime në kuadër të kësaj ministrie do të shpenzohen pothuajse 500.000 euro.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve

Edhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, sipas shumës së fondeve buxhetore me të cilat do të disponojë në vitin 2019, renditet lartë në listë – me shpenzime të përgjithshme prej 118.2 milionë euro. Nëpërmjet kësaj ministrie, për ndërtimin e banesave sociale, këtë vit janë ndarë 5 milionë euro ose 800.000 euro më shumë. Për ndërtimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve në komunat e vendit, vitin e ardhshëm do të shpenzohen 5.4 milion euro, ndërsa për projektet për furnizim me ujë dhe për kanalizimet për ujërat e zeza janë planifikuar 9.8 milionë euro. Për projektin strategjik energjetik – gazifikimin do të shpenzohen rreth 25 milionë euro, ndërsa  për  infrastrukturën hekurudhore 61 milionë euro. Shpenzimet e përgjithshme kapitale në këtë ministri parashihen të jenë 104.3 milionë euro. Për rrogat për administratën do të shpenzohen pothuajse 4.2 milionë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

Me një nga buxhetet më të mëdha, me mbi 700 milionë euro, disponon Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Këtë vit, ministria do të ketë gjithsej 725 milionë euro, që është 20 milionë më shumë se buxheti themelor i këtij viti. Për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve, duke i përfshirë çerdhet dhe pushimoret do të shpenzohen rreth 1.4 milionë euro, ndërsa për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtje sociale dhe shtëpitë e pleqve në mjetet e buxhetit për vitin 2019 janë planifikuar rreth 400.000 euro. Nëpërmjet kësaj ministrie, për pagesën e kompensimeve (për mbrojtjen sociale, për invalidë civilë të luftës, për kujdesin për fëmijët, për luftëtarët dhe invalidët e luftës, për mbrojtjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve) dhe të drejtat sociale vitin e ardhshëm do të shpenzohen 176.2 milionë euro. Për masat për zvogëlim të varfërisë janë planifikuar 4.2 milionë euro. Për zërin buxhetor “mbrojtje sociale”, janë rezervuar mjete në shumë prej 18.7 milion euro.

Ministria e Mbrojtjes

Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes vitin e ardhshëm do të jetë 135.1 milionë euro.

Për administratën është planifikuar shuma në vlerë prej 22.5 milionë eurosh, për zërin buxhetor “Funksionimi i ARM-së” janë siguruar 77.2 milionë euro, ndërsa 23.4 milionë euro do të shpenzohen për promovimin e mbrojtjes dhe të sigurisë, gjegjësisht për integrimin në NATO. Shpenzimet e përgjithshme kapitale në Ministrinë e Mbrojtjes janë projektuar në 24.2 milionë euro.

Më shumë para për agjencitë shtetërore, komisionet, organet rregullatore…

Në buxhetin e vitit 2019, shpenzimet e agjencive, organeve dhe komisioneve të shumta janë rritur dukshëm. “Portalb”-i i publikon buxhetet e disa prej tyre:

Për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë rezervuar 562.000 euro, më shumë para për të harxhuar këtë vit në krahasim me vitin e kaluar do të ketë edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, për të cilin është paraparë buxhet prej 6.1 milionë euro.

Më shumë para janë paraparë edhe për Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë, me një shumë prej 10.2 milionë eurosh dhe për Sekretariatin për Çështje Evropiane, i cili do të ketë në dispozicion 2.4 milionë euro. Me buxhetin për vitin 2019, Agjencia për zbatimin e gjuhës ka në dispozicion buxhet katër herë më të lartë se sa vitin e kaluar. Kështu, për këtë Agjenci janë paraparë mjete në vlerë prej 140.000 eurosh.

Drejtoria e Policisë Financiare do të ketë 868.5 mijë euro për t’i shpenzuar vitin e ardhshëm, Agjencia për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit, 1 milionë euro, e poashtu janë rritur dukshëm edhe shpenzimet e Agjencisë për Rini dhe Sport, me ç’rast parashihet që ato të jenë në nivelin 9.6 milionë euro. Në vitin e ri buxhetor, Avokati i Popullit do të mund të shpenzojë 1.4 milionë euro, pak më shumë se sa këtë vit, e më shumë para janë planifikuar edhe për Zyrën e Revizionit Shtetëror – në nivelin 1.6 milionë euro. Agjencia për kundërzbulim në vitin e ri 2019 do të ketë buxhet prej 3.8 milionë eurosh, ndërsa buxheti i Drejtorisë për të hyra publike parashihet të jetë 17.9 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button