Shtyhet sërish Superclasico River-Boca, këtë herë me afat të pacaktuar

Pas incidenteve të rënda, të regjistruara mbrëmjen e djeshme, kur u sulmua autobusi i Boca Juniorsit duke shkuar për në stadium dhe u plagosën disa prej lojtarëve, finalja e dytë e Kupës së Libertadores përballë River Plate nuk do të luhet as mbrëmjen e sotme

Pasi u shty tre herë radhazi mbrëmjen e djeshme, fillimisht me 60 minuta, më pas me 135 minuta dhe në fund me 24 orë, CONMEBOL vendosi përfundimisht që takimi të shtyhet për një datë të pacaktuar.

Kjo pasi skuadra e Boca Juniorsit kërkuan që të mos luhet sonte, por të shtyhet për një moment të dytë, ose t’u jepet fitorja në tavolinë, e parashikuar edhe në artikullin 18 të rregullores së CONMEBOL, njofton Supersport.al.

“Ne kemi dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë CONMEBOL, ku kemi shprehur gatishmërinë që sfida të luhet në një moment tjetër dhe në kushte të barabarta, pasi tani që flasim lojtarët tanë janë të shokuar për atë që ndodhi dhe disa edhe të plagosur. Nëse nuk shtyhet, atëherë sipas nenit 18 të rregullores së CONMEBOL për raste të tilla, të na jepet fitorja 3-0 në tavolinë”, ka thënë presidenti i Boca Juniorsit.

Rreth pasdites, institucioni drejtues i futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL u mblodh dhe vendosi që takimi të mos fillojë sonte në orën 21:00, por të shtyhet për një datë që mbetet të përcaktohet më vonë.

Gjithashtu u njoftua se të martën në orën 10:00, CONMEBOL do të mbajë një mbledhje me drejtuesit e të dy klubeve, për të vendosur edhe datën kur do të luhet finalja e dytë, ndërsa mediat argjentinase shtrojnë si opsion të mundshëm datën 8 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button