Ndryshimet kushtetuese, kryeministri Zaev shpreson se ka më shumë se 2/3 e votave

Edhe përskaj paraburgimeve të ish funksionarëve të lartë shtetëror, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev shpreson se ka siguruar edhe më shumë se 2/3 e votave “për” miratimin e ndryshimeve kushtetuese të cilat më 1 dhjetor do të jenë në seancë plenare, transmeton Portalb.mk.

“Më vjen keq që deputetë kanë theksuar se ajo ndikon, patjetër që unë shpresoj se do të mbeten në qëndrimet fillestare, sepse më 1 dhjetor do t’i kumtojmë amendamentet me të cilat do ta verifikojmë qëndrimin serioz ndaj diskutimeve dhe propozimeve të opozitës të amendamenteve kushtetuese, që sipas meje nënkupton vërtetim të 2/3 së shumicës, por edhe rritjen e saj, por kjo është vetëm shpresë e imja”, tha Zaev.

Përndryshe, më 11 nëntor, në Komisionin për Çështje Kushtetuese përfundoi diskutimi dhe u dha dritë jeshile katër draft amendamentet kushtetuese të Maqedonisë. Seanca plenare në Kuvend ku do të votohet për draft amendamentet është caktuar për më 1 dhjetor 2018.

Amendamenti i parë – ndryshimi i emrit Republika e Maqedonisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, gjithkund në Kushtetutën e Maqedonisë, përveç në amendamentin 36 ku emri ka aspekt historik..

Amendamenti i dytë – lartë në preambulë do të qëndrojnë vendimet e ASNOM-it dhe shtohet se Marrëveshja e Ohrit.

Amendamenti i tretë – respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve fqinje.

Amendamenti i katërt – garantohet identiteti maqedonas, dhe propozohet që të shtohet se Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të cilët jetojnë dhe qëndrojnë në mërgatë dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.

Diskutimi dhe miratimi i draft amendamenteve në komisionin kuvendar, erdhi pas fazës për përpilimin e tyre, që rezultoi me hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë. Miratimi u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët në Kuvendin e Maqedonisë u formua Komision për Pajtim Nacional dhe grup parlamentar, pasi që u përjashtuan nga partia.

Pasi që Kuvendi me shumicë absolute, gjegjësisht me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament të amendamenteve kushtetuese, do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës për të cilën është e nevojshme shumicë prej dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Ndryshimet kushtetuese parashihen me marrëveshjen e Prespës e cila është kusht për nisjen e procesit integrues të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button