Tension në ujërat pranë Krimesë, rusët qëllojnë anijen ukrainase

Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka mbytur një anije të sajën pranë brigjeve të Krimesë, duke shtuar tensionet detare, përcjell TCH. Një deklaratë e Marinës ukrainase thotë se, akti agresiv ndodhi ndërsa 3 mjete të saj po lundronin drejt Mariupolit, në detin Azov. Anija “Yana Kapu” pësoi dëmtime në motor dhe në trup pas goditjes.

Por, Rusia thotë se anijet ndodheshin në ujëra ruse dhe akuzon Ukrainën për akte provokative. Sipas Moskës, 3 anijet ukrainase po përpiqeshin të krijonin një situatë konflikti në rajon.

“Ato hynë ilegalisht në një zonë përkohësisht të mbyllur të ujërave territoriale ruse”, tha shërbimi rus i sigurisë “FSB” në një deklaratë për shtyp.

Ukraina, sidoqoftë thotë se i kishte informuar rusët për planet e saj të lëvizjes së anijeve drejt Mariupolit. Marina ukrainase tha në deklaratën e saj se, Rusia shkeli Konventën e OKB-së dhe ligjin e detit.

Deti Azov gjendet në lindje të gadishullit të Krimesë, që u aneksua nga Rusia në vitin 2014, dhe në jug të rajoneve që kontrollohen nga separatistët prorusë.

Ndërsa të dyja vendet kanë premtuar qasje të lirë në detin Azov, Rusia ka rritur praninë e saj ushtarake dhe inspektimet, me disa që i quajnë veprimet e saj një bllokadë ekonomike të Ukrainës në portet e detit Azov, në lindje të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button