Kosovë, deputeti Hoti: Tema e korrigjimit të kufijve urgjentisht të hiqet nga dialogu

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të hiqet urgjentisht nga dialogu tema e korrigjimit të kufijve.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se pret që ditët në vijim të gjendet një konsensus i nevojshëm për të nxjerrë vendin nga kriza. Sipas tij, gjendja në të cilën është Kosova kërkon përgjegjësi të lartë shtetërore nga të gjithë, njofton Koha.net.

“Duhet sa më parë të nxjerrim dialogun nga qorrsokaku ku e ka futur Presidenti Thaçi me temën e korrigjimit të kufijve dhe Kryeministri me mosushtrimin e përgjegjësisë së tij kushtetuese. Tema e korrigjimit të kufijve duhet urgjentisht të hiqet nga tavolina e dialogut dhe t’i pamundësohet çdo zyrtari të flasë për kufijtë. Në këtë drejtim, ne presim që rezoluta të miratohet në Kuvend dhe të gjitha partitë shqiptare të tregojnë kundërshtimin e tyre për këtë temë me veprime konkrete e jo vetëm me fjalë”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe “t’i japim Kosovës një qeveri stabile, me shumicë që nuk mund të lëkundet nga përfaqësuesit politikë të serbëve për aq kohë sa janë të ndikuar nga Beogradi”.

Hoti po ashtu ka thënë se LDK-ja këtë javë i dha mbështetje ligjeve për agjendën evropiane të Kosovës duke e quajtur veprim në përputhje me qëndrimin e partisë për të mos u bërë opozitë në “çështjet e interesit shtetëror siç janë ushtria, integrimi evropian dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button