Thaçi është nisur drejt SHBA-së, pritet të takohet me Pompeon dhe Boltonin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizitë zyrtare, ku do të takohet me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, Kongresit, Senatit, si dhe me personalitete që kanë mbështetur Kosovën, transmeton REL. 

“Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të zhvillojë një takim me John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Presidenti Thaçi, po ashtu, do të takohet edhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Në këto takime, presidenti Thaçi pritet të bisedojë për marrëdhëniet dypalëshe, për perspektivën euroatlantike të Kosovës si dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese me Serbinë, e cila siç thuhet, “i siguron njohje nga Serbia dhe i hap rrugë për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, thuhet tutje në njoftim.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Thaçi po ashtu pritet të ketë një takim në Dallas me ish-presidentin George W.Bush si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikanë atje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button