Macron: Turp atyre që sulmuan policinë, në Republikë s’ka vend për dhunë

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe bombola uji gjatë përleshjeve me protestuesit në Paris të shtunën të cilët po shfaqin zemërimin e tyre me rritjen e çmimit të karburanteve dhe me politikat ekonomike të presidentit Emmanuel Macron.

Derisa terri po binte, avenyja e famshme Champs-Elysees, ku dizajneri i famshëm i modës Karl Lagerfeld i ndezi dritat e kuqe të Krishtlindjes vetëm pak ditë më parë, ende po shndriste nga zjarret e ndezura nga protestuesit, raporton Reuters.

Presidenti i Francës, Macron, ka falënderuar forcat policore për “guximin dhe profesionalizmin” e tyre në ballafaqimin me demonstruesit.

“Turp atyre që sulmuan ata [policët]… Nuk ka vend për këtë dhunë në Republikë”, tha Macroni në Twitter, transmeton Koha.net.

Gjatë përleshjeve, një kamioni iu vu flaka dhe shpërtheu në Champs Elysees, pjesë më e famshme turistike e Francës, dhe një person që tentoi të sulmonte zjarrfikësit u mposht nga vet demonstruesit.

Në zonën e afërt Avenue de Friedland, policia hodhi topa specialë gome për të kontrolluar demonstruesit, të cilët mbanin në duar flamuj francezë apo slogane, si “Macron, dorëheqje” dhe “Macron, hajn”.

Rreth 8,000 protestues u mblodhën në Champs Elysees ku policia tentoi t’i ndalonte për të arritur në pallatin presidencial, Elysee.

Policia ndaloi 130 persona në Paris dhe në protestat në pjesë tjera të vendit.

Protestuesit po kundërshtojnë taksat e prezantuara vitin e kaluar nga Macroni në naftë dhe benzinë për t’i nxitur njerëzit që të kalojnë në forma më të pastra transporti. Përpos taksës, qeveria ka ofruar masa stimuluese për vetura elektrike.

Për më shumë se një javë, protestuesit e veshur me jelekë fluoreshentë të cilët të gjithë ngasësit në Francë duhet t’i kenë në veturat e tyre, bllokuan autostrada në mbarë vendin me barrikada zjarri e kontoje të kamionëve në shpejtësi shumë të ngadaltë, duke penguar qasjen në magazinat e karburanteve, në qendra tregtare e në disa fabrika.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button