Për domosdoshmërinë e riorganizimit të lëvizjes politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe në rajon

Terrori shtetëror sistematik dhe krimi i organizuar me përmasa gjenocidi mbi shqiptarët në Maqedoni e ka dëmtuar rëndë qenien tonë kombëtare, duke e orientuar mbrapshtë lëvizjen politike, energjitë dhe aktivitetin e pjesës dërmuese të shtresës intelektuale dhe të mediave në gjuhën shqipe, me shvendosjen nga interesi i përgjithshëm kombëtar në interes të klaneve politike mafioze, duke i komprometuar dhe kapur ato përmes korrupsionit, nepotizmit dhe veprimtarive kriminale, si të tilla t’u shërbejnë interesave strategjike të pushtetit, pa dallim nga orientimi i tij, reaksionar e degradues, apo progresiv dhe properëndimor. Për lëvizjen tonë politike kombëtare, e cila edhe më tej duhet të jetë në shërbim të misionit të shenjtë për sigurimin e lirisë, barazisë, mirëqenies, progresit dhe perspektivës evropiane dhe evroatlantike të popullit shqiptar në shtetin e tyre të Maqedonisë dhe në kontekst rajonal në Ilirikun (Ballkanin) Perëndimor. Pasojnë argumentet në vazhdim…

Argumenti i parë:

Gati përherë ndër shqiptarët, atdhetarët e vërtetë, veprimtarët e përkushtuar dhe inteletualët e shquar kanë sakrifikuar gjithçka duke punuar në heshtje për popullin dhe me popullin, për liri e përparim, për komb dhe atdhe; ndërsa mercenarët dhe tradhtarët në shërbim të interesave të huaja e kanë zbatuar filozofinë serbe dhe greke të mashtrimit, duke bërtitur me zë të lartë në emër të vlerave kombëtare, të lirisë, kombit, flamurit, gjuhës dhe atdheut, kinse për demokraci e përparim, sa për të ardhur në pushtet që t’u shërbejnë interesave të huaja, për të cilët ka një mal me dëshmi nga agjenturat e huaja të fshehta, sidomos në arkivat e Beogradit, Sofjes, Moskës, Athinës dhe Stambollit.

Propaganda dhe literatura ideologjike në shërbim të këtyre grupeve dhe lëvizjeve reaksionare e armiqësore ndër shqiptarët ka bërë shpërlarjen sistematike të trurit të një pjese të madhe të shqiptarëve, sidomos gjatë regjimit komunist, saqë edhe sot është tepër vështirë të kapen fijet e kësaj propagande dhe të këtij mashtrimi, prandaj, edhe aktualisht pjesa më e madhe e shqiptarëve, të mashtruar dhe detyruar për çështje ekzistence, në emër të këtij atdhetarizmi të rrejshëm vazhdojnë t’u besojnë dhe shërbejnë këtyre klikave, politikave dhe lëvizjeve reaksionare, me këtë duke u shërbyer armiqve tradicionalë të shqiptarëve, duke e ngulfatur të vërtetën historike dhe aktuale dhe duke e penguar rrugën e drejtë nga duhet të orientohen shqiptarët në të ardhmen, për përparimin e gjithmbarshëm të kombit dhe forcimin e shteteve të tyre.

Hulumtoni dhe analizoni gjurmët e këtyre zuzarëve, të kaluarën, veprimtarinë, sidomos financimin e këtyre lëvizjeve politike ndër shqiptarët, të cilat vijnë kryesisht nga Beogradi e Athina, Moska e Teherani (përmes Stambollit e Katarit), që ta keni më të qartë të sotmen dhe të ardhmen, perspektivën e lëvizjes politike dhe nevojën e riorientimit dhe riorganizimit të saj, domosdoshmërinë e rrënimit nga themelet të kësaj kështjelle të turpit e krimit, të mashtrimit e tradhtisë, për ta ndërtuar kalanë e fortë të qëndresës dhe rrugën e drejtë të zhvillimit e përparimit të lëvizjes politike kombëtar të shqiptarëve, si në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe kudo në botën shqiptare.

Nëse armiqtë e shqiptarëve kanë arritur t’i bindin (mashtrojnë), financojnë dhe organizojnë që para pesë shekujve, Moisi Golemët, Hamzë Kastriotët dhe Ballaban Pashët, kundër Skënderbeut, kundër Arbërisë dhe qenies shqiptare, pse nuk mundin këtë ta bëjnë edhe sot? Por kush janë Moisitë, Hamzatë dhe Ballabanët e sotëm në politikën dhe shtetbërjen tonë?!

Nëse para një shekulli, armiqtë tanë kanë arritur t’i bindin (blejnë e mashtrojnë), financojnë dhe organizojnë tipat e Esat Pashë Toptanit dhe Haxhi Qamilëve me shokë, pse nuk kanë mundur këtë edhe më vonë, ta bëjnë edhe sot? Por, kush janë Esat Pashë Toptanët dhe Haxhi Qamilët e sotëm në politikën dhe shtetbërjen e popullit shqiptar?!

Nëse para gjysmë shekulli, armiqtë tanë kanë arritur t’i bindin (blejnë, shntazhojnë e mashtrojnë), financojnë dhe organizojnë, tipat si Ali Shukriu, Sinan Hasani, Rrahman Morina, Sejdo Bajramoviçi me shokë, pse nuk kanë mundur ta bëjnë këtë më vonë, sigurisht edhe sot? Por, kush janë Sinan Hasanat, Ali Shukritë, Rrahman Morinat dhe Sejdo Bajramoviçët e sotëm në politikën dhe shtetbërjen e popullit shqiptar, si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, në trojet etnike dhe në botën e jashtme ku jetojnë e veprojnë shqiptarët?!

Çka duhet të mësojmë nga kjo përvojë e hidhur e derisotme? Meqë nuk kanë pushuar pretendimet e armiqve tanë shekullorë, sidomos të disa shteteve fqinje, për mbajtjen nën kontroll të lëvizjes politike të shqiptarëve edhe sot e në të ardhmen, si dhe dobësimin e faktorit shqiptar në vend dhe në rajon, mbajtjen edhe më tej nën okupim e sundim të trojeve tona etnike, sigurisht që duhet t’i rishqyrtojmë qëndrimet tona në lidhje me këto çështje, në mos na është trashur e topitur kujtesa historike, me këtë edhe është shuar përgjegjësia jonë për mbrojtjen e qenies sonë kombëtare dhe nevoja për ruajtjen dhe forcimin e vazhdimësisë së lëvizjes së shëndoshë politike me frymë kombëtare ndër shqiptarët, sidomos në Maqedoni dhe në trojet tjera etnike jashtë shteteve shqiptare?!

Pasojnë edhe argumente të tjera…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button