Serbët e veriut thonë se zhvillimet e djeshme janë vazhdimësi e gjendjes së tensionuar që nga ’99-ta

Pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të djeshme si pasojë e arrestimit të katër qytetarëve serbë të dyshuar për ndërlidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe protestave nëpër lokacione të ndryshme, gjatë ditës së sotme në veri të Mitrovicës po mbretëron gjendje e qetë, shkruan Koha.net.

Autoritetet e rendit, duke folur për KosovaPress, kanë përshkruar gjendjen e përgjithshme si të qetë dhe nën kontroll.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë përmes telefonit se gjendja aktuale në veri të Mitrovicës është e qetë.

“Gjendja në veri të Mitrovicës është e qëndrueshme, e qetë dhe nën kontroll. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, ka thënë Hoti.

Edhe Dushanka Radojev, qytetare nga veriu, situatën në veri të Mitrovicës e sheh sot të qetë pas ngjarjeve të ditës së djeshme.

Ajo lutet që situata të jetë e mirë, ndërsa i vjen keq kur ndodhin gjëra të këqija këtu.

“Tani gjithçka është në rregull faleminderit Zotit, veç le të mbetet gjendja kështu. Lus Zotin që gjithçka të jetë mirë, vajza më studion këtu dhe më vjen keq për gjithçka që ndodhë këtu”, theksoi Radojev.

Në anën tjetër, kishte qytetarë të cilët situatën e përgjithshme në atë pjesë e shohin të tensionuar.

Një qytetare serbe nga veriu i Mitrovicës, e cila nuk deshi të prezantohet, tha se situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar.

“Gjendja në Mitrovicë është akoma e tensionuar…Po, tek ne gjithnjë gjërat duken qetë… Nuk pres asgjë, pres të shkoj në shtëpi të përgatis drekën”, tha ajo.

Sejfa Bajroviq, po ashtu nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se situatë e tensionuar në atë pjesë po mbretëron që 20 vite.

Sipas saj, qytetarët duhet të shikojnë si të jetojnë sa më mirë, ndërsa politikën t’ua lënë politikanëve.

“Me ju thënë të drejtën, kjo situatë nuk është vetëm nga dje, sot, nesër e pasnesër, kjo po zgjatë kështu që 20 vite, nga 1999. Kjo është sikur një imponim psikologjik, ka, s’ka, do, nuk do, sikur motin kur e pret me ra ose mos me ra shi, dhe kjo kështu po zgjat që 20 vite…Po, është gjendje e tensionuar, sepse secili çon ujin në mullirin e vet. Duhet shikuar si të jetojmë, t’ua lëmë politikanëve punën e tyre. Kjo gjendje nuk ishte vetëm dje, gjendje e tensionuar është që 15 vite. Gjithmonë duhet të jetë njeriu optimist”, theksoi Bajroviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button