Mustafa ftoi degët e LDK-së që të bëhen gati për zgjedhjet e reja

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka ftuar degët e partisë që drejton që të bëhen gati për zgjedhjet e parakohshme.

Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Mustafa ka thënë se Kosova nuk është mirë që po qeveriset nga një qeveri e pakicës që i ka shkaktuar shumë dëme shtetit që prej ardhjes së saj, përcjell Koha.net.

Mustafa ka thënë se partia e tij ka konstatuar që qeveria e prirë nga Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë përgjegjës për dëmet që i kanë bërë Kosovës me idenë për shkëmbimin e territoreve që ka çuar në ngecjen e njohjeve të reja dhe tërheqjen e disa prej shteteve që tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës.

“Diskutuam për zgjedhjet qendrore dhe platformën e LDK-së. Biseduam për rezultatet e të bërit opozitë në Kuvend dhe në komuna. Konstatuam se Kosova meriton të qeveriset nga një qeveri normale. Qeveria dhe presidenti janë përgjegjës për dëmet që i janë bërë me idetë për shkëmbimin e territoreve dhe kanë ngecur njohjet dhe kanë evidenca se disa vende kanë filluar t’i tërheqin njohjet e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa ka thënë se fundi i tij duhet të rezultojë me njohjen e pavarësisë dhe garancionin e institucioneve ndërkombëtare se Kosova të anëtarësohet në OKB dhe në BE.

“Marrëveshja që do të arrihej duhej të aprovohej nga Komisioni Evropian dhe të aporovhej nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Për një epilog të suksesshëm duhet një angazhim i SHBA-ve dhe i BE-së. Jo vetëm në procesin e dialogimit por edhe në implementimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë Mustafa që ka shtuar se partia e tij e kundërshton dialogun për shkëmbim territoresh dhe konsideron që çështjet kanë përfunduar me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

I pyetur për vendimin e qeverisë që taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës të jetë 100 për qind, Mustafa ka thënë se Serbia e meriton të ketë një taksë të tillë për shkak të dëmeve që ia ka bërë Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se partia e tij është duke bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka filluar bashkëpunimin edhe me PSD-në për të siguruar votat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button