Ushtarët izraelitë kanë plagosur 12 palestinezë në kufirin e Gazës

Ushtarët izraelitë plagosën 12 palestinezë gjatë intervenimit në demonstratat paqësore që vazhdojnë në kufirin e Rripit të Gazës së bllokuar nën moton “Marshi i Kthimit të Madh”, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria palestineze tha në një deklaratë se forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj protestuesve palestinezë, duke mos dhënë detaje në lidhje me gjendjen e të plagosurve.

Protestat kanë vazhduar pas sulmeve të fundit izraelite në Gaza dhe armëpushimit të arritur.

Palestinezët në baza të rregullta organizojnë demonstrata që nga 30 marsi në kufirin e Rripit të Gazës së bllokuar nën moton “Marshi i Kthimit të Madh”.

Demonstruesit kërkojnë “kthimin e palestinezëve të dëbuar në tokat e tyre dhe heqjen e bllokadës ilegale të vendosur në Gaza që nga viti 2006”.

Ushtarët izraelitë intervenojnë ndaj protestuesve civilë duke përdorur plumba të vërtetë. Mbi 220 palestinezë kanë rënë dëshmorë gjatë demonstratave paqësore si pasojë e intervenimit të trupave izraelitë.

Tensionimi i fundit i situatës në Gaza

Shtatë palestinezë ranë dëshmorë dhe një ushtar izraelit u vra më 11 nëntor pas përleshjeve që shpërthyen pasi grupet palestineze të rezistencës vërejtën një grup ushtarësh izraelitë me automjet civil të cilët kishin hyrë tre kilometra në Gaza.

Një ditë pas incidentit, një ushtar izraelit u plagos nga një sulm me raketa i grupeve palestineze të rezistencës, mes të cilave ndodheshin edhe Hamasi dhe Xhihadi Islam. Grupet palestineze njoftuan se ky sulm, gjatë të cilit u qëllua një autobus, është ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje për dëshmorët e rënë të dielën.

Pas këtij zhvillimi, Izraeli nisi një sulm ajror, ndërsa grupet palstineze u kundërpërgjigjën me raketa.

Shtatë palestinezë të tjerë ranë dëshmorë dhe 25 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës, ndërsa një person vdiq në anën izraelite.

Më 13 nëntor u njoftua arritja e një armëpushimi mes grupeve palestineze dhe Izraelit i ndërmjetësuar nga Egjipti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button