Më tëpër se kaos

Kur Peter Asqurtee kishte botuar romanin e tij të parë, ai ishtë deshpruar pa masë pasi romani shumë dobët i ishte shitur. I deprimuar Asqurtee kishte lëshuar një shpallje në një gazetë me këte përmbajtje: ,,një milioner, shtatlarët, tejet elegant, i arsimuar dhe muzikal – me gjithë qef do të ishte martuar me një grua që do t’i përngjante heroinës nga romani – Dashuria ngadhnjeu – nga autori Peter Asqurtee. Pas kësaj, romani ishte shitur në tërësi.

Realiteti është se në të shumtën e rasteve nuk qëndron çështja në brendinë dhe esencën e problemit, por në formën dhe menyrën e plasimit të tij para opinionit. Njerëzit tani sikur defrehen duke dëgjuar se kush kujt çka i ka thënë ndër strukturat politike. Askush më nuk pyet për çmimet e larta, për dështimet ekonomine, për mënyrën e jetesës, për integrimet. Partitë kryesore të koalicionit qeveritar me mjeshtri hudhën grepin në formën e një zënke e cila qartë se është teatrale, me qëllim të mbulimit dhe maskimit të dështimeve dhe gjithesesi me qëllim që serisht të fitojnë zgjedhjet.

Me një mjeshtri të perfeksionuar, pushteti magjepsi edhe opoziten duke e tërhoqur ate në teren të vetin. Dhe për çudi, në vend që opozita të qëndroje anësh duke vënë në dije se nuk deshiron të jetë pjesë e kësaj loje, ajo e okupuar nga pesha e materjes (branitellat) ra në kurthin e pushtetit. Pa opoziten as që mund të bisedohet për kalim të ligjit e të mos bëjmë fjalë për poentim. Opozita duheshte të delë me qëndrime se kjo është në mes jush dhe s’ka të bëjë kurgjë me ne. Por, në këto treva gjithëherë patriotizmat madje qofshin ato të rejshmë kanë suspenduar logjiken dhe arsyen. Opozita veproi si dhelpra pas varjeve të dashit. Ajo edhe në këte rast në vend që të poentojë për mosfunksimin e koalicionit qeveritar, ajo shkoi të ushqen ujkun e pushtetit.

Me pëlqen një anegdotë e vjetër indiane kur plaku indian këshillon nipin e tij: nip i dashur, duhet ditur se në shpirtin e çdo njeriu gjithë kohën luftojnë dy ujqë. Njëri është ujku i dashurisë, i së vërtetës dhe i solidaritetit, kurse tjetri është ujku i urejtjes, i mashtrimit dhe i egoizmit. E kush bëhet fitues nga këta dy ujqë gjysh? – pyet nipi. Ai do të jetë ujku të cilin më së shumti do ta ushqejmë – përgjigjet gjyshi.

E ne cilin ujk jemi duke ushqyer? Si duket ujku i mirë që moti na ka lëshuar. Ka ikur pasi nuk mundi më tepër të durojë një jetë qeni. Iku pasi shumë u pat dobësuar nga uria. U pat sëmurë teper rëndë. Nuk mundi të jetojë në një ambient ku lartësohej djalli i zi kurse poshtrohej ëngjulli i bardhë. Ku sundojnë rrenat duke robëruar të vërtetat. Ku flet padrejtësia kurse heshtë drejtesia. U mposht nga ujku i keq, i cili shkëlqen nga bukuria dhe duket sikur do plas nga shëndeti.

Ujku i mirë nuk mundi të durojë një ambient ku nuk dihet se kush ha e kush pi, por mirë dihet se kush paguan. Madje, ai që paguan duket sikur një i marrë të cilit çka do që t’i ndodhë ndjehet i lumtur. I lumtur edhe atëherë kur gjendja e përgjithshme i është më shumë se tragjike. I lumtur edhe atehere kur fati i të zgjedhurve të tij ndërtohet mbi fatkeqesinë e tij. Tash më dy vite jemi lider botëror për varfëri. Sivjet televizioni më i fuqishëm në botë na shpalli si shteti me kushte më të këqija ekonomike. I njëjti medium një vit më parë na përkujtojë se kryeministri ynë sundon me shtetin në mënyrë autoritare. Lidhur me standardin jetësor, shpenzimet e jetës janë rritur për rreth 3.5 për qind krahasuar me një viti më parë. Çmimet kanë shkuar përpjetë mesatarisht 12 për qind. Ndërsa rritja ekonomike është fundosur deri në minus dy për qind. Por, ne vazhdojmë të dukemi të lumtur edhe pse tani 22 vite na shkuan kot. U shpërngulën qinda mijë persona në shpresë se çdokund tjetër do ta kenë më mirë se në vendin e vet.

Ujku i së mirës nuk mundi të durojë aq keqpërdorime të mëdha me njerëz që vazhdojnë të duken të lumtur edhe atëherë kur nuk u ka mbetur asgjë. S’ka punë për rininë, s’ka jetesë, s’ka kushte, s’ka shpresë… Por ka nënçmime e përbuzje. Rinia e cila nga natyra duhet të jetë avangarde e ndryshimeve, heshtë pasi shpreson në të cuditshmen dhe të pamundshmen. U beson fatamorganave. Edhe në komunizëm pushteti u frikohej studentëve, kurse tani masa studentore mbetet peng i servilizmit. Ajo madje pajtohen që të largohet nga vendi, por me rëndësi është që të mos e lejë ndonje fjalë të keqe ndaj pushtetarëve. Ata nuk dinë të organizohen për jeten dhe ardhmërinë e tyre. Nuk kanë dhëmbë që të kafshojnë. Fatlum është ai pushtet që ka këso rinie! Flejnë rahatshëm. Kur të vijnë zgjedhjet lehtë e kanë. Do t’i mashtrojnë me premtime boshe ose me ndonjë kartelë celuari. Aq këtu e ka koston ndërgjegja dhe vetëdija. Me kaq çmimi këtu këmbehet jeta dhe ardhmëria.

Edhe pse lojnat politike në mes partnerëve të koalicionit duken simetrike, në fakt veprat janë tejet asimetrike. Pushteti arrinë të bind investitore të huaj që të investojnë vetëm në pjesën lindore të shtetit. A zonat e lira fantome në pjesën perëndimore mbeten kullosa dhe ferra ku kohën kalojnë gomarë lokal. Tani në Lindje fillojnë ndërtimet e kompanive – ,,Jonson Controls,, (investim shtese) ,,Johnson Meti,, (poashtu investim shtese) ,,Technnohaze Kemet Electronics,, ,,Cromberg & Shubert,, ,,Prota,, nga Rusia etj. Vlera e tyre do të arrijë në afro një miljard euro, kurse priten të punësohen rreth 15 mijë veta. Shkupi 2014 gëlltiti rreth 250 milion euro, kurse për Sheshin e Skenderbeut u dhanë vetëm 800 mijë euro qesharake. Kjo astronomi tani kompenzohet me homazhe të kontraktuara në Sllupçan, ku hudhet mjegull që të fshehen shëmtimet.

Çudi e madhe — njëri partner qeveritar të ketë aq dozë të madhe sadizmi, kurse tjetri aq dozë të madhe mazoizmi. Kjo pasi që gjithë kohën verbësisht ndjekim njerëzit të verbër që nuk janë më tepër se një maskë. Madje edhe vet jemi duke u shndërruar në ndonjë maskë. Durojmë një pushtet që nuk zgjidh probleme, por që i dyfishon ata. Madje, edhe me këso katastrofe këtij pushteti nuk i mungon asgjë. Ai me sukses di ta maskojë realitetin e hidhur me trillime të ëmbëlta, duke  e defokusuar vëmendjen drejtë gjërave boshe. Por, ne si optimist të papërmirësueshëm kemi plote durim. S’e di se nga na vjen një durrim kaq i madh sa as fiset e Amazonise nuk kanë shansë që ta kenë. Durojmë edhe atëherë kur ndokush ndërton të kaluarën e vet duke shembur ardhemerinë tonë. Edhe atëherë kur ndokush ndëton identitetin e vet duke shkelur mbi tonin. Edhe atëherë kur harxhon parat tona duke shkelur mbi dinjitetin tonë…

Tani gjoja dëshirojmë ta pengojmë miratimin e ligjit për branitellat përmes metodave filibasteriste. Kurse formula është shumë më e thjeshtë dhe më dinjitoze. Duhet prishur koalicionin qeveritar. Jo që të koalicionohet me partner tjetër që s’ka legjitimitet, por për të shkuar në zgjedhje të reja. Pa brengosje shumë se kush do të fitonte në taborin tjetër. Duhet të perfundojë rregjimi i një faraoni të rejshëm i cili për veti ka ndërtuar shumë piramida kurse popullatën vite me radhë e la të hendet nëpër shkretirë. Të cilin faraon edhe vet e kemi ndihmuar. Tani së paku të mos i ndihmojmë që të vazhdojë që t’i shet romanet që nuk i shiten më.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button