Policia e Kosovës jep detaje lidhur me operacionin në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës organizoi një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku dha informacione dhe detaje lidhur me angazhimet policore dhe arrestimet e realizuara sot në veri të Mitrovicës, në lidhje me rastin e vrasjes së liderit serb nga Kosova të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të tij drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova tha se operacioni i sotëm është kryer në orët e mëngjesit pas orës 6:00, ku njoftoi se si rezultat i bastisjes së katër lokacioneve në veri të Mitrovicës janë arrestuar 4 persona, 3 prej tyre që ndërlidhen me rastin e vrasjes së rëndë, atë të Oliver Ivanoviçit dhe një arrestim i një personi i cili ka rezistuar dhe penguar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Shillova bëri të ditur se personi në fjalë është në arrati dhe se është lëshuar fletarrest për të.

“Operacioni ka rezultuar të jetë i suksesshëm, janë përdorur mjetet dhe metodat të cilat janë të parapara me procedurat dhe me ligjet aktuale në fuqi. Gjatë operacionit nuk kemi pasur asnjë person të lënduar, respektivisht zyrtarë policorë të lënduar gjatë ekzekutimit të operacionit. Gjithçka ka shkuar sipas planifikimit dhe përkundër rezistencës së hasur në njërin nga lokacionet ku është bërë bastisja zyrtarët policorë kanë arritur që të menaxhojnë me sukses. Të dyshuarit janë përkohësisht në objektet e policisë dhe do të vazhdojë procedura ashtu siç parashihet me kodin e procedurës penale dhe sipas udhëzimeve që jep prokurori”, tha ai.

Prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Sylë Hoxha njoftoi se në lidhje me rastin e vrasjes së politikanit nga veriu i Mitrovicës, Ivanoviç janë dëgjuar mbi 40 dëshmitarë, kryesisht nga pjesa veriore lidhur me këtë rast. “Ju njoftoj se Prokuroria Speciale deri në këto momente ka grumbulluar prova dhe ka ardhur në një përfundim se vetëm edhe me një urdhërkontroll të shtëpive, të banesave të të dyshuarve mund të sigurohet edhe ndonjë provë tjetër lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit”, tha ai.

Ai theksoi se janë duke zhvilluar hetime ndaj personave të dyshuar të cilët kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviçit. Hoxha nuk dha informacione në lidhje me emrat e të arrestuarve dhe shtoi se në këtë fazë do të shkohet vetëm me iniciale.

Në lidhje me pyetjen e gazetarëve se a mund të ketë lidhje ky operacion me rritjen e taksave prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Hoxha tha se kanë punuar sipas programit dhe axhendës së tyre të pavarur dhe se kanë ardhur në atë shkallë ashtu që nuk kanë pasur mundësi të tjera të veprimit.

“E kemi përdorur edhe këtë masë ligjore procedurale që është e paraparë me kod, përndryshe ne si Prokurori Speciale, por edhe si Prokurori e Shtetit nuk kemi mundur as nuk mund të dimë kur qeveria do të vendosë taksa, kur do t’i heqë apo kur do të zhvillohet ndonjë takim të niveleve qeveritare politike”, tha ai.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani njoftoi se policia posedon informacione rreth lajmërimit të protestës e cila mund të mbahet sot në disa lokacione në veri, për kundërshtimin e taksës prej 100 për qind. Ai u shpreh se respektojnë të drejtën për të protestuar, por theksoi se do të jenë të kujdesshëm që të veprojnë sipas situatës në mënyrë që të ruajnë rendin dhe qetësinë publike në vend.

Kujtojmë se sot njësia policore e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri të Mitrovicës në lidhje me vrasjen e Ivanoviçit, me ç’rast janë arrestuar katër persona, dy prej të cilëve zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës.

Ivanoviç, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri më 16 janar të këtij viti, përpara selisë së SDP-së në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe, ndërsa kohë më pas ishin arrestuar dy policë për manipulimin e provave nga terreni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button