Veseli: Vendimet e marra synojnë të ndalin destruktivitetin e Serbisë ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se “vendimet e marra nga Kosova synojnë të ndalin destruktivitetin e liderëve institucional të Serbisë kundër Kosovës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Veseli sot mbajti një konferencë për media ku deklaroi se “Si shtet sovran kemi marrë disa vendime të cilat synojnë të ndalin destruktivitetin e liderëve institucional të Serbisë kundër Kosovës”. Sipas tij, këto vendime janë legjitime, legale dhe transparente dhe nuk duhet assesi të interpretohen si veprime të drejtuara kundër një komuniteti të caktuar në Kosovë.

“Republika e Serbisë, lidershipi i saj duhet të kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal, është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk ndihmon bashkëjetesën mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokimet e tilla. Nuk do të lejohen veprime që mund të shkaktojnë pasiguri ose jostabilitet në vendin tonë, nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe të integritetit tonë territorial dhe institucional. Nuk do të lejohen veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të Kosovës. Nuk do të lejohet asnjë veprim që cenojnë bashkëqytetarët tanë serbë kudo që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Veseli më tej u bëri thirrje të gjitha komuniteteve që të kenë besim në institucionet e Republikës së Kosovës dhe që të mos bien pre e asnjë provokimi të mundshëm.

“Kosova është e angazhuar që të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive, përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit tonë, apo përpjekjet për të tensionuar çdo herë dhe çdo kohë gjendjen në vendin tonë”, tha Veseli duke shtuar se Kosova do t’i respektojë plotësisht obligimet ndërkombëtare që ka mbi veten.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për rritje të taksës për 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kjo shkaktoi reagime nga pala serbe si dhe nga komuniteti serb që jeton në Kosovë. Së fundmi ata kanë paralajmëruar edhe protestë në veri të Kosovës për kundërshtimin e këtij vendimi.

Kujtojmë se sot Policia e Kosovës ka kryer një operacion në veri të Mitrovicës në lidhje me vrasjen e liderit serb nga Kosova të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, me ç’rast janë arrestuar katër persona të komunitetit serb, 3 prej të cilëve ndërlidhen me rastin e vrasjes së rëndë, pra atë të Oliver Ivanoviçit dhe një arrestim i një personi i cili ka rezistuar dhe penguar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button