Memento për ABC-në shqipe

Alfabeti i Gjuhës shqipe – njërës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian, ndër më të veçantat e trungut gjenealogjik të Indoevropianishtes, ka bërë udhë të gjatë dhe të mundimshme, udhë identike me atë të etnisë shqiptare, gjer në konsolidimin e saj pas Kongesit të Manastirit, të vitit 1908.

Shtrohet pyetja: Si u bë që gjuha e vendit fqinj me grekët antikë, në gjirin e të cilit u shkruajtën të paktën 3 prej 7 Kodikëve të purpurt të kohës së Krishtit; që vendi i cili Renesancës evropiane i dha vepra autorësh të kalibrit të Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Mikel Markianoit, Gjin Gazullit…, të heqë të zinjtë e ullirit dhe vetëm pas shekujsh e mileniumesh ta zgjidhë çështjen e ABC-së së vet?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep akademiku Mehmet Kraja me romanin “Udhëzime për kapërcimin e detit”, ku, përmes shtresave të nëntëshme, flet për zhbërjen e arkivave vendase në kohët e mugëta mesjetare, nga ana e pushteteve të huaja… Kjo e vërtetë letrare ngjan e gjasshme, sepse pushtuesit, kushdoqofshin ata, të cilësdo kohë dhe të çfarëdo feje e etnie të jerë, menjëherë pas pushtimit të territoreve të tjetrit, një gjë të vetme bëjnë: djegin mbamendjen e arkivuar të popujve të nënshtruar, duke zhdukur kësisoj Prometejët, që të mos mbetet kush t’ia japë popullit zjarrin e ta vetëdijësojë për statusin mjeran në të cilin është katandisur dhunshëm.

Por, ta lëmë historinë e largët dhe t’i kthehemi kohës dhe rrethanave në të cilat nisi të realizohet njëra prej ëndrrave më të mëdha të rilindësve shqiptarë: përcaktimi për një alfabet të vetëm që, bashkë me shkollën shqipe dhe emancipimin e përgjithshëm të popullit, u bënë motoja e veprimtarëve të Rilindjes, që besonin se vetëm një komb i ngritur mund t’i tejkalojë antagonizmat e brendshme, që ishin bërë pengesë e projektit madhor për formimin e njësisë së kombit, të gjuhës dhe të shtetit shqiptar sipas modelit të ndjekur dekada më parë nga vendet/ kombet e Evropës.

Rilindasit e dinin gjithashtu se një komb i mbetur në terrin e prapambetjes, një komb analfabet, një komb i ndarë  dhe i përçarë keq nga tjetri dhe nga vetvetja, një komb me plot plagë në shtat, mund t’ia bënte papritmas varrin vetvetes. Shi për këtë, u shpallën luftë  alfabeteve të shumta (latine, greke, sllave dhe turko-arabe), që i kishin çorientuar shqiptarët, aq sa nuk ekzistonte shkrim që mund të lexohej më shumë se në një krahinë të ngushtë, më shumë se në një kolini shqiptare.

Janë me qindra emra të shquar që u përpoqën për një alfabet të vetëm, por, duhet thënë, pa mashtruar vetveten, se, mjerisht, janë dhe me qindra emërfikur që e bënë të kundërtën, që u shdërruan në masha të huaja dhe luftuan çdo nismë përparimtare. Kjo duhet pranuar hapur, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo pasardhësve eventualë të kësaj mendësie të prapë antihistorike. Kjo duhet thënë jo për të problematizuar të sotmen, por për të shmangur mundësitë e përsëritjes së fatkeqësirave, sepse: një komb që nuk merr mësimet e duhura nga dështimet e tij rrezikon t’i përsëriten ato tim për tim, tamam si në baladat popullore me kuçedra shumëkokëshe dhe bajlozë të zinj katran.

Fatmirësisht, përpjekjet për tejkalimin e anarkisë së alfabeteve, u bënë masive dhe të gjithanshme. Fillimisht, ishin vetë shpikësit e disa alfabeteve që hoqën dorë nga projektet e tyre në favor të një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët. Kështu, nisi qartësimi i gjërave dhe pranimi, fillimisht i heshtur, pastaj dhe i hapur i alfabetit të “Bashkimit”, i përpiluar prej personalitetesh që, për momentin e dhënë, garantonin më shumë neutralitet krahinor, dialektor e fetar…

Kurorë e këtyre përpjekjeve u bë vendimi i 32 delegatëve të Kongresit të ABC-së, të ardhur në Manastir nga 26 qytete shqiptare, të cilët u pajtuan me propozimin e liberatorit Luigj Gurakuqi për përzgjedhjen e alfabetit më të përshtatshëm që nuk do të thente asnjë zemër pjesëmarrësi, rrethi e krahine shqiptare. Vendimi ishte ky: ”Të merret ABC-ja e Stambollit e bashkë me të një ABC thjesht latine që së bashku të përdoren nga shqiptarët…” Koha e dëshmoi se alfabeti pastër latin rezultoi më i përshtatshmi për shqiptarët e të gjitha krahinave.

Kjo, natyrisht nuk kaloi pa probleme, sepse vendimet e Kongresit u sfiduan ashpër nga njerëzit që e kishin gëlltitur pamendueshëm grepin e huaj… Pasuan kundërshtime të dirigjuara nga më shumë anë: nga politika greke, sllave e xhonturke, gjë që rezultoi me mbajtjen e një Kongresi paralel në Dibër, më 1909.

Kongresi në fjalë u ideua për të pamundësuar përdorimin e alfabetit latin, por, për çudi, pjesa dominante e pjesëmarrësve i kuptoi tendencat politike që shkonin në dëm të çështjes shqiptare. Kështu, në pamundësi për të përkrahur vendimin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, u soll një vendim i ndërmjetëm, që gjithsesi ishte dëshmi e dështimit të përpjekjeve për luftimin e alfabetit latin. Vendimi kërkonte që të mos imponohet alfabeti turko-arab, por të lihet i lirë gjithsecili të përdorë alfabetin që preferon, gjë që nënkuptonte vazhdimin e situatave anarkike të para Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe sërish rrezikonte integritetin shpirtëror të shqiptarëve…

Pas kësaj ngjarjeje, Klubi i Manastirit, si amë e gjithë klubeve të tjera, inicoi Kongresin e dytë të Manastirit (1910), që u mbeshtet fuqishëm pothuajse nga të gjitha viset shqiptare dhe nga gjithë kolonitë rilindëse. U bënë demondstrata, debate pa fund, shkrime gazetash, vepra letrare…, gjë që i trimëroi shqiptarët që u zotuan se, nëse e do nevoja, alfabetin e tyre do ta mbrojnë deri në pikën e fundit të gjakut.

Por, atëherë kur pritej që të uleshin gjakrat dhe të niste një epokë e re respekti e mirëkuptimi mes njerëzish, kulturash dhe etnishë, në Vilajetin e Kosovës shpërthyen demonstratat kundër alfabetit latin të shqipes, kundër librave e gazetave të shkruara në këtë alfabet, kundër shkollave shqipe, kundër shoqatave e intelektualëve kriujes që e përkrahnin atë. Protestat ishin masive, sepse u instrumentalizua dhe feja për të rebeluar turmat e painformuara rreth asaj që realisht po ndodhte. Manipulatorët thonin se alfabeti latin është antifetar, gjë që s’kishte të bëjë fare me të vërtetën, sepse, me sa dihet, për ata që besojnë sinqerisht, Zoti, veç tjerash, është dhe krijues i gjithë gjuhëve të botës dhe i njeh ato një për një.

Për fat të mirë, koha si arbitër më i mirë i ndodhive historike dëshmoi se të tillët e kishin gabim. Po të mos ishte kësisoj, sigurisht që Turqia moderne do të mbante për vete alfabetin që ua preferonte dikur shqiptarëve.

Parë nga distanca e sotme, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët.

Falë këtij monumenti që përbën vijën kyçe identitare të shqiptarëve, paraardhësit tanë bënë të pamundurën për të krijuar nga hiri qytetërimin shqiptar. Ne na mbetet vetëm të kujdesemi mos të shkelim turpshëm mbi djersën dhe gjakun e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button