Tallava – politika e Maqedonisë!

Politika tallava në Maqedoni ka zënë vend. Melodi të llojllojshme politike po komponohen brenda ditës, javës, muajit. Disave u këndohet mirë e disave keq. Tekstshkruesit gjithnjë në lëvizje herë në Republika Srpska, në Beograd, në Moskë, në SHBA e gjetiu në kërkim të “teksteve” të reja. Kompozitorët në shtëpi. Bile edhe aty janë tepër, sepse realisht nuk konsiderohen si komponues, por vetëm mbajtës instrumentesh.

Kështu duke mos patur asgjë në dorë instrumentmbajtësit duken shpesh të pafuqishëm për të prishur melodinë që shurdhon veshët e ndëgjuesve të tyre. Cdo ditë kërcënojnë këngëtarin se do e prishin grupin muzikor nëse ai vazhdon të këndoj tallava edhe pse realisht ata tanimë dhjetë vite po jetojnë në ritmin e kësaj muzike. Fatmirësisht , nën ritmin e kësaj muzike tani nuk lozin as të mëdhenjtë e as të vegjëlit, sepse e kanë kuptuar se tallavaja nuk bën mirë. … maskat ka kohë që janë çjerrë.

Të kota janë fjalët shumëorëshe të disa bajraktarëve, pasi populli e di mirë, se nën fjalët e tyre të mëdha fshihen flamujt e disfatave të shumta. Rezultati i disfatave pason politikën tallava të tyre. Kjo politikë në Maqedoni ka kohë qe funksionon perfekt për të arritur kulminacionin diteve te fundit me Ligjin për “branitellat” dhe debatet poshtruese ndërmjet deputetëve maqedonas dhe atyreve shqiptarë, që në mënyrë të përkryer po nxjerrin në shesh dallimet e shumta që kanë mes veti dy komunitetet më të mëdha në vend. Brengos sërish politika shqiptare, e cila po të kishte kryer me kohë detyrat e shtëpisë do merrte notën pesë, ndërsa tani edhe pse orvatet të mësoj, ka gjasë të humb vit. Në rregull koha hanë edhe kashtë!

Cka me tutje me politikën tallava dhe a ka tallava politikan në Maqedoni? Përgjigja më kujton një pikë humori/satirë gjermane. Pyet djali babanë: O babë, çka është në të vërtetë politika? Babai: Dëgjo mirë! Unë i sjell të hollat në shtëpi. Pra, unë jam kapitalisti. Nëna jote administron të hollat. Pra, ajo është qeveria. Gjyshi kujdeset për atë që çdo gjë të shkojë në rregull. Pra, ai është sindikalisti. Shërbyesja jonë është klasa punëtore. Të gjithë ne së bashku e kemi vetëm një gjë në mend, gjegjësisht mirëvajtja jote. Si rrjedhojë e këtyre, ti je populli. Ndërsa vëllai yt i vogël që është ende në pelena, është ardhmëria. A e kuptove këtë o bir!? Vogëlushi mendon pak dhe i lutet babit që të pushojë një natë e pastaj të japë përgjigje. Natën i del gjumi , meqë vëllai më i vogël i kishte mbushë pelenat plot e qante pa u ndalë. Ky, meqë nuk e dinte nga t’ia fillojë, shkon në dhomën e fjetjes së prindërve të vet. Por aty e gjen vetëm nënën e vet, e cila flinte aq thellë në gjumë, saqë nuk mundi ta zgjojë nga gjumi. Kështu niset për në dhomën e shërbyeses, ku babai i tij posa zbavitej me të, përderisa gjyshi shikonte tinëz nga dritarja. Të gjithë janë të vënë në punë, saqë askush nuk mundi ta hetonte vogëlushin para tyre.

Megjithëse pa kryer punë, vogëlushi ia krisi përsëri gjumit. Ditën tjetër e pyet babi të birin se a është në gjendje ta shpjegojë me fjalë se çka është Politika. Po, ia kthen i biri. Kapitalizmi e shpërdoron klasën punëtore. Sindikata vetëm shikon ç’po ndodh. Përderisa qeveria fle. Populli injorohet tërësisht. Dhe ardhmëria qëndron në m.t! Në Maqedoni politika tallava ka filluar të qelbet.

Në mungesë të stretegjisë politike, ekonomike,sociale, kualicioni tallava ofron në sofrën e ideve konceptin e nacionalizmit. Tmerri më i madh është fakti se politika tallava e kualicionit tallava në Maqedoni, po e mbjell tallavanë në çdo pore të jetës, për ta korrur fatkeqësisht brezat e gjeneratat e ardhëshme, në emër të të cilëve u ndërtuan kështjella premtimesh e shpresash të shumta, por që u kthyen të gjitha në xhipa e autovetura superluksoze të liderëve që bëjnë politikë me ne e jo për ne. Kohë zgjedhjesh, do të kalojë edhe tallava politika…Lutem populli të mos gaboj dhe mos e vulos gabimin me dorën e tij, duke zgjedhur si perfaqsues të vet ata që e mashtrojnë!

Lajme të ngjashme

Back to top button