fbpx

Ministri Angjushev: Fabrika e Jugohromit do të hapet në pranverë (VIDEO)

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe drejtori i fabrikës “Jugohrom”, Vasko Skenderovski kanë mbajtur konferencë për media sot në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Bashkërisht ata lajmëruan se pas kredisë së aprovuar nga Qeveria, Jugohromi do të vendosë një pjesë të filtrave dhe do të fillojë me punë në pranverën e vitit 2019.

“Jugohromi” nuk do të punojë derisa t’i plotësojë standardet ekologjike, por për shkak rëndësisë që ka për popullatën e rajonit, por edhe për tërë ekonominë, Qeveria në seancën e fundit përmes Bankës së Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit në Programin për mbështetje të firmave me vështirësi përcaktoi 1,5 milionë euro mjete likuiduese për ristartimin e “Jugohromit në pranverën që vjen”, tha Angjushev.

”Jugohromi” e ndërpreu punën në nëntor të vitit 2016 dhe pas bisedave të gjata me menaxhuesit u konkludua se duhet të ndërtohet stacion filtrues, sepse mbrojtja e mjedisit jetësor dhe shëndeti i qytetarëve nuk kanë alternativë. Në pajtim me çmimet aktual në bursat botërore, u konkludua se ‘Jugohromi’ mund të punojë me përfitim, ndërsa për këtë kredi shteti ka mbulim të hipotekës. Stacioni i paraparë filtrues do të jetë për të dy furrat më të reja dhe më të mëdha që paraqet rreth 50 për qind nga kapaciteti i ‘Jugohromit’, ndërsa sipas informacioneve nga menaxhuesi ky kapacitet do të mundësojë kthim të një pjese më të madhe të të punësuarve. Bëhet fjalë për zgjidhje të një problemi më afatgjatë dhe ndjeshëm, ndërsa me këtë mbyllje të konstruksionit financiar sigurohen mjete përveç për filtrin, blerje edhe të lëndëve të para dhe mjeteve tjera për ristartimin e fabrikës”, deklaroi Angjushev.

Duke u përgjigjur në pyetjen “Pse është pritur aq kohë që të miratohet kredi për “Jugohromin”?” , Angjushev potencoi se nuk kanë ekzistuar mekanizma brenda vendit, por edhe në Bankën e Maqedonisë për Mbështetje dhe Zhvillim për mbështetje të tillë të kompanive të Maqedonisë.

Drejtori ekzekutiv i “Jugohromit” Vasko Skenderovski ka potencuar se bëhet fjalë për kredi, gjegjësisht ndihmë financiare e cila sërish është komerciale për të cilën “Jugohromi” garanton me hipotekë dhe do të ketë interes komercial, megjithatë gjendja jolegjitime e fabrikës që punon dy vjet ka pamundësuar ata të fitojnë mjete, ashtu që, sipas tij, Qeveria ka gjetur mirëkuptimit ta mundësojë ristartim.

Ndryshe, problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e rangoi ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj, Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Jugohrom nuk arriti të respektojë afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit të 2016-s u mbyll.
Pas mbylljes, rreth 900 punëtor mbetën pa punë, të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh, vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. 
Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close