Arrihet draft-deklarata politike për raportet BE-Britani pas Brexitit

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord për një draft- deklaratë për marrëdhëniet e tyre politike pas Brexit, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, duke i hapur rrugën një samiti të BE-së këtë fundjavë për vulosjen e marrëveshjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Draft- deklarata u arrit në nivel teknik të negociatorëve dhe u miratua sot nga Komisioni Evropian, trupi ekzekutiv i BE-së i cili mbikëqyrë negociatat e Brexit.

“Presidenti i Komisionit më ka njoftuar se është rënë dakord në nivelin e negociatorëve dhe se pajtimi në parim është arritur edhe në nivel politik”, tha Tusk në Twitter.

Tusk, i cili kryeson mbledhjet e liderëve të BE-së, tha se ia ka dërguar draftin e deklaratës politike të 27 partnerëve evropianë të Britanisë.

Ai tha se projekt- deklarata kërkon “miratimin e udhëheqësve”. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen të dielën në Bruksel për të miratuar deklaratën dhe marrëveshjen e shkëputjes.

Përfaqësuesit e 28 vendeve të BE-së do të takohen të premten për të përgatitur samitin, që shihet si një moment i rëndësishëm në procesin e Brexit.

Britania edhe zyrtarisht do të largohet nga BE-ja, vendi i parë ndonjëherë që bën një hap të tillë, në mesnatën e 29 marsit, por marrëveshja për Brexit duhet të arrihet në javët e ardhshme duke i lënë kohë të mjaftueshme Parlamentit Evropian dhe Parlamentit britanik për miratimin e saj.

Kryeministrja britanike Theresa May pritet sot të takohet me kancelarin austriak Sebastian Kurz, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së deri në fund të vitit. May gjithashtu ka vendosur të kthehet në Bruksel të shtunën për bisedime shtesë në prag të samitit.

Britania dhe BE u pajtuan javën e kaluar për një dokument prej 585 faqesh, duke vulosur kushtet e largimit të vendit nga Unioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button