fbpx

Darmanoviq: Nuk kishim asnjë bazë ligjore për ta ndaluar Gruevskin

Nuk kishim asnjë bazë ligjore për ta ndaluar ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, për shkak se në momentin kur ai po kalonte nëpër territorin e Malit të Zi në kalimet tona kufitare nuk kishte asnjë sinjal që tregonte se bëhej fjalë për person jashtë ligjit, tha ministri malazez i Punëve të Jashtme Srgjan Darmanoviq i pyetur në lidhje me arratisjen e ish-kryeministrit maqedonas për të cilin policia malazeze ka konfirmuar se ka kaluar nëpër kufijtë e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i diplomacisë malazeze Darmanoviq ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku sot u takua me homologun e tij maqedonas Nikola Dimitrov, me të cilin mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.

“Ne, siç e dini, nuk kishim bazë ligjore për ta ndaluar shtetasin e Maqedonisë, gjegjësisht ish-kryeministrin maqedonas, në një makinë me targa diplomatike të një vendi të huaj, sepse në momentin kur ai po kalonte nëpër territorin e Malit të Zi në pikat kufitare, nuk kishte asnjë sinjal se ai ishte person jashtë ligjit”, tha Darmanoviq, i cili shtoi se në lidhje me këtë rast i kanë informuar shërbimet e sigurisë në Maqedoni.

“Për gjithçka i kemi informuar shërbimet e sigurisë të Maqedonisë. Departamentet tona e kanë bërë këtë në një mënyrë që nënkuptohet në mes të miqve dhe partnerëve, kështu që nga Mali i Zi nuk kishte lojra dhe gjëra të fshehta, por u veprua siç kërkojnë rregullat dhe ligjet tona”m tha Darmanoviq.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i pyetur nga gazetarët nëse Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadorët e Shqipërisë dhe Serbisë në bisedë informative për rastin e arratisjes së ish-kryeministrit maqedonas Gruevski, tha:

“Ushtruesi i detyrës dhe shefi i Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Tiranë ka zhvilluar takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ka informuar në lidhje me informacionet që ata i kanë dhe në nivele të tjera përtej kontakteve diplomatike ka komunikimin ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. I kemi dhënë udhëzime ambsadës sonë në Beograd, në Serbinë fqinje, për të kërkuar një takim në Ministrinë e Jashtme dhe informacione zyrtare. Ky takim, të paktën deri më sot, nuk është mbajtur ende. Ne presim që të kemi një takim të tillë, në mënyrë që të kemi të paktën në atë nivel të komunikimit diplomatik, informacion zyrtar nga vendet përkatëse”, tha Dimirov.

– Dimitrov: Kur një vend përballet me një sfidë, i gjithë rajoni përballet me sfidë

I pyetur të komentojë në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Maqedonia është fajtore për ikjen e Gruevskit për shkak se ka lëshuar urdhrin e arrestit me vonesë, dhe nëse arratisja e ish-kryeministrit maqedonas mund të prishë marrëdhëniet në vendet e rajonit, Dimitrov deklaroi:

“Kishte një koment nga presidenti i Serbisë në lidhje me veprën penale për të cilën është dënuar ish-kryeministri Nikola Gruevski, diçka që nuk komentohet, as për gjykimet e brendshme, aq më pak për gjykime të huaja. Rasti tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal. Rasti tregon se kur një vend përballet me një sfidë, i gjithë rajoni përballet me sfidë dhe anasjelltas. Kur një vend merr një hap të mirë dhe një hap përpara, sa e rëndësishme është kjo për të gjithë të tjerët dhe për gjithë rajonin. Kjo është ajo që unë mendoj se është leksioni i këtij rasti. Ne nuk kemi interes në përkeqësimin e marrëdhënieve”, tha shefi i diplomacisë maqedonase.

Ai shtoi se është fakt që bëhet fjalë për një kohë sfidash dhe është e rëndësishme që vendet të përqëndrohen në sfida. Sipas tij, nuk është në interes të asnjë vendi që një vend fqinj të përballet me problem dhe shtoi se herët apo vonë, pasojat do të ndihen nga të gjithë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button