Lëvizja BESA me kryetar Kasamin: Edhe një buxhet diskriminues për shqiptarët (VIDEO)

“Për shqiptarët edhe ky propozim buxhet, si edhe propozim buxhetet e kaluara, nuk përmbush nevojat dhe kërkesat e tyre, duke nisur nga procesi i decentralizimit, i cili nuk është përmbyllur me sukses”, kështu vlerësojnë nga Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin në lidhje me propozim-buxhetin e ri për vitin 2019, njofton Portalb.mk.

“Si rezultat i kësaj, sot komunat ballafaqohen me mungesë të mjeteve për financim të projekteve dhe me këtë vështirësohet puna e tyre. Vet fakti i faljes së borxheve të komunave nga ana e qeverisë me ligj të veçantë, tregon gjendjen e rëndë në të cilën funksionojnë ato. Këtu duhet të potencojmë se këto borxhe, komunat i kanë krijuar në mënyrë jotransparente dhe jo në interes të qytetarëve”, thonë nga Lëvizja BESA.

Sipas tyre, matematikat e Qeverisë nuk janë mbështetur në realitetin faktik që kemi në shtet, ndërkaq edhe pse ajo po proklamon buxhet social, ajo nuk i përmbahet premtimit të saj, pasi rritjen e rrogave nuk e parashikon ashtu si ka premtuar.

Sipas tyre, komunat shqiptare nga buxheti qendror komunat shqiptare marrin 0% mjete nga buxheti qendror në formë të bllok dotacioneve për shtëpitë e pleqve (azileve), rreth 1% të bllok dotacioneve për kulturë, rreth 12% të dotacioneve të destinuara për njësitë e zjarrfikësve, po aq sa marrin edhe në formë të bllok dotacioneve për mbrojtjen e fëmijëve.

Ata shtojnë se edhe më tutje vazhdon trendi i anashkalimit dhe nënçmimit të kuadrove shqiptare në qeveri ku të gjithë ministrat shqiptarë menaxhojnë me buxhet rreth 20% të buxhetit të përgjithshëm edhe pse, sipas tyre përbëjnë rreth 45% të qeverisë (kryeministri dhe ministra që udhëheqin me një ministri, apo sekretariat).

“Ministria e Ekonomisë 0,45%, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 0,46%, Ministria e Qeverisjes Lokale 0,18%, që i bie se 3 ministrat shqiptarë që udhëheqin me dikastere ministrore nuk kalojnë as 1% të buxhetit qeveritar, përderisa dy sekretariatet që udhëhiqen nga ministrat shqiptarë bashkë nuk e kalojnë as 0,5% e buxhetit qeveritar. Pyesim: Pse edhe Zoran Zaev vazhdon avazin e kryeministrave të mëhershëm t’i nënçmojë partitë shqiptare në pushtet duke i gjykuar si të paaftë për të menaxhuar me financat shtetërore dhe pse partitë shqiptare që janë pjesë e pushtetit e lejojnë një gjë të tillë?”, thonë nga Lëvizja BESA

Lëvizja BESA vlerëson se situata nuk është më e mirë edhe me institucionet tjera që udhëhiqen nga shqiptarë, siç është rasti me institucionet e arsimit të lartë, ku sipas tyre, universiteteve në gjuhën shqipe u janë ndarë mjete buxhetore shumë më të vogla në raport me universitetet në gjuhën maqedonase.

“Nëse nga këto mjete buxhetore prej 5.347.000 euro të ndara për Universitetin Nëna Terezë i minusojmë mjetet e ndara prej 3.260.000 euro për ndërtim të objekteve, mjete këto të cilat janë ndarë edhe në buxhetet e kaluara, por nuk janë realizuar, del se mjetet e ndara për arsim të lartë në gjuhën shqipe nuk e kalojnë as 17% të totalit të mjeteve të ndara për arsimin e lartë”, thuhet në reagim.

Ata thonë se do të propozojnë amendamente për ta zbutur, sipas tyre, sado pak diskriminimin buxhetor që kjo qeveri ua bën shqiptarëve në përgjithësi dhe njëkohësisht kërkojnë nga partitë shqiptare që janë pjesë e pushtetit të heqin dorë nga benefitet personale dhe të mbrojnë interesat e shqiptarëve.

LEXO: Buxheti 2019, ja ku do të harxhohen paratë e qytetarëve të Maqedonisë (Infografik)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button