Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita e Alfabetit

Universiteti i Tetovës, sot, përmes një akademie solemne e shënoi 110 -Vjetorin e Kongresit të Manastirit. Kjo datë paraqet njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë, e njohur ndër shqiptarët si Dita e Alfabetit, ngjarje kjo në të cilën u bë unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe.

Prodekani për Shkencë i Fakultetit Filologjik, Izmit Durmishi, në fjalën e tij , tha se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit, është kuvendi që mblodhi atdhedashës nga vise të ndryshme shqiptare duke dhënë sinjalin e parë drejt pavarësisë kombëtare të popullit shqiptar.

“Historia e alfabetit të gjuhës shqipe është mjaft e vjetër dhe e ndërlikuar, kur dihet që gjuha jonë, që nga dokumentet e para të saj që njohim e deri në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 është shkruar në disa  alfabete. Kjo mënyrë e të shkruarit të shqipes, e vështirësonte shumë përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare, prandaj njësimi i alfabetit ishte ndër detyrat e shenjta që morën përsipër ta realizojnë ideologët e rilindjes kombëtare shqiptare. Arritja e një marrëveshjeje për një alfabet të vetëm e të përbashkët për të gjithë shqiptarët, veprimtarëve shqiptarë ua ofronte mundësinë që ta ruanin dhe ta afirmonin më lehtë identitetin kombëtar, prandaj Kongresi i Manastirit u quajt edhe Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe”, theksoi Izmit Durmishi.

Historiani,  Zeqirija Idrizi, tha se mundi dhe sakrifica që dhanë veprimtarët e gjuhës shqipe, për të ardhmen e kombit dhe gjuhës, asnjëherë nuk duhet harruar, sepse po nga këto germa janë shkruar shumë akte historike tejet të rëndësishme për popullin shqiptar gjithandej trojeve etnike. “Nuk mjafton përkujtimi i kësaj feste dhe festimi i saj në mënyrë simbolike duke shprehur urata të ndryshme, por duhet shfrytëzuar në maksimum ato shkronja të shenjta, të cilat i përshtatën për ne të parët tanë, që ne të kemi bazën e shëndoshë për shkrime, studime, zbulime në lëmenj të ndryshëm dhe të praktikojmë shembullin e tyre se të bashkuar mund të arrijmë çdo gjë. Prandaj, ne duhet që këtij mundi t’ia japim hakun, ngase kushedi, një ditë ndoshta do të japim llogari për mosshfrytëzimin efikas të këtij burimi të pashtershëm – Alfabetit Shqip. Sepse, me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, me këtë alfabet u shkrua akti për themelimin e Universitetit te Tetovës, po me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh, Zeqirija Idrizi.

Akademia kushtuar Kongresit të Manastirit u begatua edhe me një program artistik të përgatitur nga studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve dhe Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës.

LEXO EDHE: Skender Asani: Kujtojmë Alfabetin dhe falënderojmë Amerikën

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button