Lindja e fëmijës post-mortem

Zhvillimet teknologjike japin mundësinë që fëmija jo vetëm të lind, por edhe të konceptohet pas vdekjes së njërit prej partnerëve. Çka paraqet reproduksioni post-mortem (për disa i njohur edhe si post-human)?

Koha në të cilën sot jeton njerëzimi, sikur i ka ndryshuar paradigmat konvencionale të parametrit natyror dhe atij biologjik. Si e tillë, kjo kohë njeriut të sotëm i ka shtuar guximin të sfidojë, po edhe të ndryshojë, ca rrjedhoja natyrore të mbarëvajtjes së njeriut si qenie shoqërore – para së gjithash si qenie biologjike. Së këndejmi, përmes dilemave teorike dhe sukseseve shkencore gjetiu, njeriu mirë-ndërton ardhmërinë e vetë, e cila nga njëra anë i jep me dije për fuqinë e dijes racionale, kurse nga ana tjetër i shton përgjegjësi të mëdha, ndoshta edhe enigmatike dhe të pa-shijuara më parë. Fjala është për pasojat që do mund t’i përbijë njeriu nga intervenimet in-konsekuente në natyrë, dhe alternimin e strukturës shoqërore në ketë kontekst. Kur dihet se për çdo intervenim njeriu paguan çmimin, ndryshimi i po asaj strukture kohesive konvencionale brenda-familjare, do të jep çmimin e vetë në të ardhmen e afërt.

Zhvillimi dhe aplikimi i teknologjisë artificiale reproduktive (inseminimi artificial, in vitro fertilizimi, amësia surrogate, reproduktimi post-mortem) janë dëshmi për ri-definimin e konceptit të familjes duke rrëzuar në këtë aspekt parimin e ngjizjes së fëmijës në mënyrë natyrore. Ky pluralitet i formave për themelimin e prindërisë, i cili u bë i mundshëm me zhvillimin e hovshëm të mjekësisë dhe bioteknologjisë, lejon aplikimin e teknologjive të reja reproduktive, zgjeron mundësinë e planifikimit familjarë nga njëra anë, mirëpo nga ana tjetër vëndon në pikëpyetje statusin gjenetik të fëmijës së lindur nëpërmjet këtyre metodave (kur fëmija nuk mban vulën gjenetike të prindërve që përkujdesen për të por nëpërmjet in vitro procesit është i ngjizur me qeliza reproduktive të donuara).

Zhvillimet teknologjike japin mundësinë që fëmija jo vetëm të lind, por edhe të konceptohet pas vdekjes së njërit prej partnerëve. Çka paraqet reproduksioni post-mortem (për disa i njohur edhe si post-human)? Reproduksioni post-mortem paraqet teknologjinë e cila mundëson ngjizjen dhe lindjen e fëmijës pas vdekjes së njërit ose të dy prindërve. Një metodë e këtillë është e rregulluar edhe në legjislacionin tonë pozitiv. Sipas nenit 33 të Ligjit për fekondim të asistuar biomedicinal  “Burri dhe gruaja të cilëve sipas indiceve mjekësore ose përvojave nga shkenca mjekësore iu kërcënohet rreziku i infertilitetit për shkaqe shëndetësore, munden në institucionin e autorizuar shëndetësorë me deklaratën e tyre me shkrim ti ruajnë spermatozoidet e tyre, qelizat vezë, ose ind prej vezores ose testikujve për shfrytëzim personal. Në rast të vdekjes së burrit, fekondimi i asistuar biomedicinal post-human është i lejuar me pëlqimin e tij paraprak të dhënë në formë të shkruar, më së voni deri në 1 vjet nga vdekja e tij.

Rasti i parë  kur mundet të aplikohet riprodhimi post-mortem është kur burri vuan nga një sëmundje e rëndë (p.sh kanceri)  dhe zgjedh të ngrijë spermën e tij (p.sh para procesit të kemoterapisë). Situatë e dytë është ajo e ngrirjes së qelizave vezë të partneres e cila vuan nga ndonjë sëmundje, pas vdekjes të së cilës veza e fekonduar do të implantohet  në mitrën e gruas mbajtëse (nënës surrogate). Situatë e tretë është ajo e ngrirjes së embrionit dhe implantimin e tij në mitrën e një grua tjetër e cila do të mbajë dhe lind fëmijën pas vdekjes së prindërve gjenetik. Duhet të theksohet se kjo metodë është e mundur vetëm nëse burri e ngrin spermën gjatë jetës së tij, por edhe në situatat kur gruaja ose ndonjë anëtarë  i afërt i familjes kërkon që të merret sperma pas vdekjes së burrit (gjatë 24 orëve nga vdekja, ajo mundet të ngrihet dhe të përdoret për reproduktim post- mortem). Me kombinimin e krioprezervacionit të qelizave reproduktive dhe metodave të teknologjisë artificiale të reproduktimit (inseminimi artificial ose in vitro fertilizimi) mund të realizohet reproduktimi post-mortem dhe fëmija të lind pas vdekjes së njërit prind ose të dy prindërve me rastin e ngrirjes së embrionit. Motiv më i theksuar për aplikimin e kësaj metode është dashuria e cila është qëllim primar që njëri nga prindërit (nëna) të dëshirojë të mbajë dhe të lind fëmijën pas vdekjes së partnerit. Kjo temë në vete përfshinë vdekjen dhe jetën, për shkak se lindën një fëmijë dhe njëri nga partnerët bëhet prind pas vdekjes së tij. Krioprezervacioni i qelizave reproduktive mund të bëhet edhe kur burri dhe gruaja nuk planifikojnë të kenë fëmijë në një të ardhme të afërt.

Debatet më të ashpra për këtë metodë reproduktive janë orientuar në tejkalimin e dilemave morale, etike dhe juridike lidhur me qëndrimin ndaj dashurisë, lindjes, vdekjes, të drejtave reproduktive, përgjegjësisë prindërore ndaj fëmijëve, trashëgimisë dhe interesit më të mirë të fëmijës.  Çështje tjetër që është për tu diskutuar është liria reproduktive kundrejtë interesit më të lartë të fëmijëve. Shtrohet pyetja, njeriu a ka të drejtë absolute të bëhet prind? Kjo e drejtë e njeriut shtrihet vetëm në reproduksionin natyrorë ose i përfshinë të gjitha llojet e metodave biomedicinale për ngjizje të fëmijës?

Liria reproduktive e njeriut a shkon deri në atë nivel saqë ai ka të drejtë të bëhet prind edhe pas vdekjes së tij, duke shfrytëzuar në këtë drejtim teknikën e krioprezervacionit të qelizave reproduktive dhe inseminimin artificial, in vitro fertilizimin apo edhe amësinë surrogate për të arritur qëllimin e pasjes së fëmijës? Në të gjitha këto pyetje, përgjigje gjithëpërfshirëse nuk na japin as legjislacionet bashkëkohore. Shkencat shoqërore, e në veçanti e drejta, ende nuk janë të përgaditura të jenë në hap me zhvillimin rapid të shkencës dhe teknologjisë e në veçanti bioteknologjisë dhe teknologjive të reja reproduktive të cilat kanë filluar të jenë pjesë edhe e planifikimit familjarë. Lidhur me këtë, bazuar në të drejtën reproduktive të njeriut (e garantuar në planin ndërkombëtarë në Konferencën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të OKB-së në vitin 1968 të mbajtur në Teheran) si dhe në respektimin e parimit të lirisë individuale të partnerëve, por njëkohësisht edhe në parimin e utilitaritetit, duhet të lejohet reproduksioni post-mortem, për shkak se me anë të lindjes së një fëmije realizohen jo vetëm interesat e partnerëve por edhe të fëmijës dhe shoqërisë. Mirëpo, që të jepet një fotografi e kompletuar lidhur me realizimin e të drejtave të një familje të themeluar në këtë mënyrë, gjithsesi duhet të analizohet edhe interesi i fëmijëve të lindur pas vdekjes së njërit ose të dy prindërve.

Shikuar në drejtim të realizimit të interesit të fëmijës, kemi ngecje, mu për shkak se fokusi është drejtuar në lirinë reproduktive dhe pëlqimin që duhet të jepet për aplikimin e kësaj metode. Të drejtat dhe interesat e fëmijëve, shqyrtohet vetëm kur shtrohet çështja e vërtetimit të atësisë, statusi juridik në të drejtën trashëgimore si dhe sigurimi i mbrojtjes së tij sociale. Një neglizhencë e këtillë është e papranueshme, për shkak se interesi më i lartë i fëmijëve duhet të jetë primat kryesorë për të gjitha vendimet dhe ndryshimet ligjore që ndërmerren në emër të të drejtave të fëmijëve. Interesi dhe të drejtat e fëmijëve duhet të jenë në prioritet, andaj shtrohet pyetja ky interes a realizohet nëse fëmija lind pas vdekjes së prindit/ve të tij? Lidhur me këtë pyetje, autorë të ndryshëm japin mendimet e tyre duke u bazuar pikërisht në këtë interes. Sipas disave, interes i fëmijës është që të ketë dy prindër të cilët bashkërisht do të kujdesen për të, do ta duan dhe edukojnë. Një prindërim i këtillë me rastin e inseminimit post-human është e pamundur, për shkak se njëri nga prindërit (në të shumtën e rasteve babai) nuk do të jetë gjallë që nga momenti i ngjizjes së fëmijës gjë e cila bie ndesh edhe me nenin 7 para.1 të Konventës për të drejtat e fëmijës (…. fëmija ka të drejtë të dijë kush janë prindërit e tij si dhe ata të përkujdesen për të). Ky grup autorësh shkon edhe më larg, duke konsideruar se me anë të fëmijës së lindur post-mortem dëshirohet të plotësohet ideali i pavdekshmërisë si dhe vazhdimësia e jetës përmes pasardhësit gjenetik.

Pala e cila është pro kësaj metode, arsyetohet me faktin se interesi më i lartë i fëmijës është që të lindë, të vijë në këtë botë dhe të ekzistojë.  Nëse do të ndalohet reproduksioni post-human, këtij fëmije nuk do t’i jepet shansi që të lind, që të bëhet subjekt i së drejtës. Sipas këtij interpretimi, shumë më e dobishme është që të lind një fëmijë dhe të jetojë në familje mono-prindërore sesa aspak mos të lind. Në instancë të fundit, përparësi duhet ti jepet jetës, lindjes së fëmijës. Fëmija i tillë pritet të jetë produkt i një dashurie e të dy partnerëve të cilët dëshirojnë të themelojnë familje, mirëpo që për shkaqe tragjike (vdekjes ose sëmundjes) nuk arrijnë ta realizojnë idealin e tyre. Kontradiktat e radhës në këtë drejtim shtrohen edhe lidhur me moslejimin e inseminimit post-human dhe lejimin e abortit si e drejtë e pakontestueshme e një femre (të bërë brenda periudhës së lejuar ligjore). Në këtë drejtim kemi dy situata absurde, nga njëra anë të lejohet shkatërrimi i një qenie njerëzore potenciale, dhe nga ana tjetër të ndalohet lindja e një qenie njerëzore me vullnetin e të dy prindërve që ai/ajo të lindë qoftë edhe pas vdekjes së tyre.

Si është i rregulluar statusi juridik i fëmijës së lindur pas vdekjes së prindit në legjislacionin tonë? Shkurt dhe shqip – me shumë kontradikta dhe zbrazëtira juridike. Ky fëmijë që do të lindë post-mortem, aktualisht, nuk i njihet subjektivitetit juridik në marrëdhëniet trashëgimore juridike. Sipas nenit 122 të Ligjit për trashëgiminë, trashëgimtarë mund të jetë vetëm personi i cili ka lindur i gjallë në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit ose i cili ka qenë i ngjizur gjatë jetës së trashëgimlënësit (rasti nasciturus pro iam nato). Për shkak të faktit se tek riprodhimi post-human, fëmija është ngjizur pas vdekjes së trashëgimlënësit, ai/ajo nuk mund të konsiderohen trashëgimtarë.  Në asnjë mënyrë nuk është i pranueshëm diskriminimi i fëmijëve sipas momentit të ngjizjes.  Prandaj në Ligjin për trashëgiminë duhet të vendoset dispozitë e re ligjore me anë të cilës edhe fëmijët e lindur post-mortem të paraqiten si trashëgimtarë dhe të mund të trashëgojnë sipas rregullave të njëjta sikurse fëmijët martesorë dhe jashtëmartesorë.

Kolizioni tjetër na paraqitet me atësinë e këtij fëmije. Në rast të vdekjes së burrit reproduktimi post-mortem është i lejuar me pëlqimin e tij paraprak të dhënë në formë të shkruar, më së voni deri në 1 vjet nga vdekja e tij. Nëse aplikohet riprodhimi  post-mortem dhe nëse fëmija lind pas vdekjes së burrit (në periudhën më të gjatë se 300 ditë), atëherë ai fëmijë do të ketë status të fëmijës jashtëmartesorë (sipas Ligjit për familjen) për shkak të faktit se martesa ka pushuar me vdekjen faktike të njërit nga bashkëshortët. Në këtë situatë, për tu vërtetuar atësia duhet të zhvillohet procedura për njohjen e atësisë e paraparë me Ligjin për familjen. Atësia e fëmijës së lindur jashtë martesës (tek reproduktimi post-mortem) mund të pranohet para lindjes së fëmijës. Dua të theksoj se, vërtetimi i atësisë ka rëndësi të veçantë për identitetin e fëmijës dhe për vendosjen e lidhjes juridike midis fëmijës dhe të afërmve gjinorë të babait të ndjerë.

Prandaj, aplikimi i riprodhimit artificial post-human duhet të shoqërohet me ndryshime në legjislacion në mënyrë të tillë që, legjislacioni të modernizohet bazuar në ndryshimet shoqërore dhe nëse është e nevojshme, instituteve të vjetra ligjore t’u jepet një kuptim i ri në raport me zhvillimin social dhe teknologjik. Ndryshime të tilla janë të nevojshme për të garantuar një mbrojtje më të mirë ligjore për fëmijën e lindur me anë të këtyre metodave, për të garantuar interesin dhe mirëqenien e tij, por nga ana tjetër për të shmangur edhe komplikimet që mund të vijnë në të ardhmen. Dhe për në fund, dua të vë në dukje faktin se në vendin tonë janë regjistruar raste të ngrirjes së qelizave reproduktive, dhe një rast i ngjizjes dhe lindjes së fëmijëve (bineq) pas vdekjes së babait të tyre. Prandaj, e potencoj edhe një herë se, për të parandaluar situatat e pakëndshme që mund të paraqiten në të ardhmen gjithsesi duhet të kemi harmonizim të legjislacioneve nacionale lidhur me këtë proces.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button