“Save the Children”: 85.000 fëmijë mund të kenë vdekur nga uria në Jemen

Që nga fillimi i luftës në Jemen rreth 85.000 fëmijë nën moshën 5 vjeçare kanë vdekur nga uria, njoftoi sot grupi për të drejtat e fëmijëve, “Save the Children”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke përdorur të dhënat e hartuara nga OKB, grupi gjeti se ndërmjet muajit prill të vitit 2015 dhe tetorit të vitit 2018, rreth 84.701 fëmijë nën 5 vjeç vdiqën si pasojë e rasteve të kequshqyerjes akute apo urisë.

OKB ka paralajmëruar se 14 milionë njerëz janë në rrezik urie, e cila, bëri të ditur grupi, është rritur në mënyrë dramatike qëkur koalicioni i udhëhequr nga sauditët dhe Emiratet imponuan bllokim njëmujor të Jemenit pak më shumë se një vit më parë.

Që atëherë, importet komerciale të ushqimit përmes aeroportit kryesor të Jemenit në Hodeidah kanë rënë me më shumë se 55.000 tonë në muaj, tha grupi. “Çdo rënie e mëtejshme në import mund të çojë drejtpërdrejt në uri”, paralajmëroi ai.

Tamer Kirolos, drejtor i grupit “Save the Children” në Jemen, në një deklaratë tha se organizata bamirëse është e tmerruar nga numri i fëmijëve që mund të kenë vdekur për shkak të urisë ekstreme.

“Për çdo fëmijë të vrarë nga bomba dhe plumbat, dhjetëra të tjerë po vdesin nga uria dhe kjo është krejtësisht e parandalueshme,” tha ai.

“Fëmijët që vdesin në këtë mënyrë vuajnë pafundësisht kur funksionet e organeve të tyre jetësore ngadalësohen dhe përfundimisht ndalen. Sistemet e tyre imunitare janë aq të dobëta sa ata janë më të prirur ndaj infeksioneve, të brishtë madje edhe për të qarë. Prindërit e tyre dëshmojnë se si fëmijët e tyre zhduken, në pamundësi për të bërë diçka rreth kësaj”, shtoi ai.

Luftimi, bllokadat dhe burokracia në Hodeidah e kanë detyruar grupin të sjellë furnizime vitale për veriun e vendit përmes portit jugor të Adenit, tha ai në deklaratë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në Jemen është kriza më e keqe humanitare në botë. Derisa konflikti hyn në vitin e katërt, sipas OKB-së, rreth 14 milionë njerëz në Jemen, ose gjysma e popullsisë së përgjithshme të vendit, janë në rrezik urie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button