110 vjet alfabet shqip

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtëra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë e pafundme.” – ka thënë humanistja më e madhe në botë Nënë Tereza. Letërnjoftimi shpirtëror me të cilin identifikohet një komb është gjuha të cilën ai e flet në jetën e përditshme, kurse ai fizik është flamuri që ka valvitur nëpër beteja dhe luftëra gjatë gjithë historisë së ekzistencës së vet, ndërkaq doket, zakonet dhe tradita e kultivimit të kulturës kombëtare janë djepi ku është rritur e zhvilluar trupi dhe është kultivuar shpirti i kombit, i artikuluar me anë të gjuhës së personifikuar të tij.

Gjuha e një kombi është shtylla themelore në jetën dhe zhvillimin e tij, aq më tepër që ajo është pjesë e pandarë dhe e gjithanshme e hapave përparimtare që një komb të ecë përpara. Kjo, sepse gjuha është një organizëm i gjallë, që evoluon nëpër kohë dhe, si e tillë, i përgjigjet emancipimit të shoqërisë, kulturës, arteve, letërsisë, publicistikës si dhe tërësisë së problematikës bashkëshoqëruese të tyre.

Në rrethanat e një sundimi shumëshekullor turk, shqiptarët u detyruan ta shkruajnë gjuhën e tyre sipas mundësive dhe konceptimeve individuale me alfabete të ndryshme: me shkronja latine, greke, sllave, me shkronja të përziera, pastaj me shkronja arabe-turke dhe me shkronja të veçanta. Me këtë anarki alfabetesh dëmtohej gjuha, kultura, arsimi dhe uniteti kombëtar. Andaj lindën dhe kërkesat për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe si nevojë e patjetërsueshme nga rilindësit tanë, si objektivi numër një kombëtar për gjuhën, kulturën, arsimimin dhe pavarësinë kombëtare.

Rruga deri te Kongresi i Manastirit kishte filluar dy shekuj më parë. Atdhetarët tanë ballafaqoheshin me sfidat më të mëdha të kohës. Andaj në ato kushte, shoqëria ,,Bashkimi” e Manastirit më 14 nëntor deri më 22 nëntor 1908 mblodhi Kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e një alfabeti të njësuar për të gjithë shqiptarët, kudo që jetonin dhe vepronin.

Në këtë Kongres historik u mblodhën 50 delegatë, ku prej tyre, 32 ishin me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Delegatë e mysafirë të shumtë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga bashkësitë shqiptare të diasporës, përbënte numrin diku rreth 400 pjesëmarrës.

Kongresi i Manastirit u shndërrua në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, pasi delegatët vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, Turqisë, Egjiptit, Italisë, Amerikës e gjetiu, ku për kryetar të Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashrit. Nënkryetar u zgjodh përfaqësuesi i shoqërisë biblike Gjergj Qiriazi, kurse Parashqevi Qirjazi, përfaqësuese e shkollës së parë shqipe për vajza në Korçë, në këtë Kongres e vetmja femër delegate, shërbeu si Sekretare e Komisionit. Ajo ishte e para grua në historinë tonë që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar. Për pjesëmarrjen e saj në kongres, Parashqevi Qirjazi thotë: ,,si grua që isha nuk munda të udhëtoja vetëm, prandaj mora shoqen time Fillomena Bonati të më shoqëronte në atë mision interesant”. Kësaj i jepte krah edhe zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane që ishte e pranishme në Kongres si vëzhguese. Kjo amerikane shkroi se kumtesa më e mirë dhe më prekëse u mbajt nga prifti katolik i Shkodrës, Gjergj Fishta, i cili të pranishmit i bëri t’u rridhnin lotët dhe se një hoxhë u prek aq shumë sa që vrapoi i pari ta përqafojë para të gjithë të pranishmëve. Ky ishte momenti më prekës kur përqafohen shpirtërisht e vëllazërisht një prift e një hoxhë. Edhe më i çuditshëm dukej ky përqafim, veçmas për të huajt, pasi përfaqësitë diplomatike të akredituara në Manastir e përcillnin me interesim të madh Kongresin dhe pritnin që nga aty do të lindnin përçarjet e mëdha ndër shqiptarë, për shkak të besimeve të ndryshme fetare që kishin shqiptarët.

Pas nëntë ditësh, Kongresi rezultoi pozitivisht dhe i gjithë shtypi i kohës alarmoi këtë sukses të papritur. Për grekët, turqit e sllavët ishte goditje e madhe historike. Në momentin kur ato pritën që Kongresi t’i përçajë shqiptarët, ndodhi e kundërta, ai i bashkoi edhe më shumë. Kongresistët me punën e tyre nëntë ditore vendosën me shumicë votash që shqiptarët t’i lënë mënjanë alfabetet tjera dhe ta shkruajnë gjuhën e tyre vetëm me alfabetin latin; alfabetin me të cilin kishin shkruar shkrimtarët e letërsisë së vjetër shqipe shumë shekuj më parë. Përfundimisht u përcaktuan për 36 germat e arta, me një dilemë edhe për një variant tjetër të mundshëm, për të cilin e lanë që të takohen edhe në kongrese të tjera, ta vëzhgojnë situatën se si do të rrjedhin punët me këtë alfabet bazë, që qe përkrahur nga shumica dhe me atë të një varianti të mundshëm, për të cilin duket se është lënë si variant sa për t’i zbutur emocionet e atij grupi më të vogël që donin të përkrahej varianti i tyre.

Për fat të mirë, që nga atëherë e deri më sot e kësaj dite, plot një shekull e ca, triumfoi alfabeti i shqipes të cilin e gëzojmë ne dhe 110 gjenerata para nesh, alfabet ky që i dha shqipes mundësinë që sot të bëhet gjuhë e artit, e shkencës, e kulturës, e radios, e shkollës, e filmit, e këngës, të bërët gjuhë zyrtare, gjuhë e universitetit, e parlamentit, e gazetave dhe e shumë institucioneve të tjera. Triumf ky që erdhi si rezultat i mendjeve të mprehta, mendimit civilizues dhe ndjenjës së thellë kombëtare të rilindësve tanë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button