KLITHMA E MUNKUT

Përherë më ka mahnitur një pikturë, e thjeshtë në dukje, që ngjan si vizatim fëmije.

Është “Klithma” e Eduart Munkut, një simbol artistik i ekspresionizmit, një vepër artistike për njeriun e vendosur në hapësirën abstrakte urbane.

Është një pikturë ku, siç thonë studiuesit, goja është qendra kompozicionale e pikturës, prej ku buron klithma, që ndryshe përkufizohet si thirrmë e fuqishme, e menjëhershme, e atypëratyshme, njëfarë shpërthimi ndjenje, njëfarë thirrme për ndihmë.

Përse klith kjo qenie e papërcaktuar si gjini?

Përse e gjithë kjo frikë kur nuk ka ndonjë rrezik të jashtëm?

Kujt i drejtohet kjo qenie, kur askush nuk është përreth?

A e dëgjon dikush, apo më saktë, a duan ta dëgjojnë këtë klithmë?

Mos i drejtohet vetëm qiellit?

Përse kjo shumësi ngjyrash përreth, që nuk shihen në botën reale?

A e shohin kështu botën ata që kanë përjetuar një çekuilibrim shpirtëror?

A e shohin kështu botën ata që ndjejnë frikë të pashpjegueshme?

Kur thellohesh në këtë kryevepër arti të lindin pyetje të pafundme.

Një vepër arti është gjeniale kur zgjon shumë pyetje, shumica pa përgjigje.

Para nesh është qenia e papërcaktuar që, siç thuhet, lidhet me botën nëpërmjet tmerrit, i cili është pasojë mungesës së përsosmërisë e harmonisë së botës, si dhe çnjerëzimit të skajshëm.

Klithma shpërndahet nëpër botën e heshtur dhe asnjanëse ndaj dhimbjes.

Njeriu është qenie e pafuqishme në këtë realitet të trishtë, prandaj klith.

A jetojmë në një botë të këtillë?

A vuajmë nga sulmet e panikut shkaku i frikës nga e nesërmja?

A mund ta ndjesh këtë vepër pamore nëse nuk ke përjetuar rrahje të shpejtuara zemre, dridhje nëpër trup, një frikë të pashpjegueshme, e cila vjen nga droja për të ardhmen?

A mos nuk e kuptojmë të sotmen dhe nuk mësojmë dot nga tronditjet e mëdha njerëzore e qytetëruese, që rikthehen nën kushte të njëjta?

Mos vallë jetojmë në një kohë kur fjalën kryesore e kanë “peshkatarët e shpirtrave njerëzorë”, ata që flasin shumë, që lexojnë pak, që nuk thonë asgjë dhe vetëm shpërndajnë mjegull?

“Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë” quhet vepra e autorit kroat, Gjuro Shushniq, e përkthyer edhe në shqip, e cila merret me idenë e manipulimit dhe manipulimin e ideve.

A mund të gjejmë zgjidhje dhe të hapërojmë përpara vetëm duke klithur?

Mos vallë duam ta ruajmë vetëm atë që na ka mbetur, pra klithmën që shpërndahet nëpër botën tonën, botën plot ngjyra ndjenjash të përziera, krejt e ndryshme nga bota e jashtme që e shkakton atë?

Si do të ishte bota nëse do t’i mungonte kjo klithmë?

Apo mos do të ishte një botë krejtësisht artificiale, me njerëz që jetojnë në një lumturi të rrejshme, si ata që kanë gëlltitur pilulat Murti – Beng, pilulat që u jepen njerëzve nga peshkatarët e shpirtrave njerëzorë për t’i bërë të lumtur në një botë hakmarrëse dhe të trishtë?

E shikoj pikturën e Munkut dhe kam përshtypjen se jam qenie e papërcaktuar, që më ka mbetur vetëm klithma, e cila shpërndahet e vetmuar, e padëgjuar, në një shkretëtirë shpirtërore.

Jam qenie e papërcaktuar unë që e kam mësuar durimin dhe misionin e mendimtarit nga “Prometheu i mbërthyer” i Eskilit.

Që e kam mësuar pasionin e frikshëm të pushtetit nga “stoikët e  krimit”: nga Hamleti dhe Makbeth gjumëvrari.

Që e kam mësuar fundin tragjik të diktaturës nga vendosmëria mizore e Kreontit.

Që e kam mësuar verbërinë ndaj mëkatit nga Mbreti Edip i Sofokliut.

Që e kam mësuar se ngjitja në qiell mundësohet vetëm nëpërmjet shpirtit të pastër dhe të panjollosur, sepse vetëm ai është i lehtë dhe mund të fluturojë e të gjejë Beatriçen e tij të ëndërruar.

Që e kam mësuar ngulmimin nga kalorësi i arratisur.

Që e kam mësuar intrigën e pushtetarit nëpërmjet gjakftohtësisë mizore të Zhozef Fushesë.

Që e kam mësuar ndjenjën për drejtësi nga Viduka, i cili kudo dallonte sytë e vëllait të tij.

Që e kam mësuar pritjen e kotë nga Beketi apo Kafka.

Që kam parë me ndjenjë të çuditshme dritën e përtejshme.

Që kam mësuar shumëçka nga mësuesit e mi, ata që më flasin me zërin i cili vjen nga thellësia e shekujve.

Unë pra, që mendoj, se sot më ka mbetur vetëm klithma, ajo klithmë që më shumë i drejtohet qiellit që dëgjon se sa botës sonë asnjanëse dhe të çnjerëzuar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button