SHUMË ZHURMË PËR ASGJË!

Disa deklarata për shtyp të drejtorit të Entit shtetëror për statistikë Apostol Simovski si  dhe disa konferenca të panevojshme për shtyp të këtij Enti në lidhje me regjistrimin e  popullsisë në Republikën e Maqedonisë përshi këtu edhe  disa intervista të porositura të ish drejtorit të Entit për statistikë Donço Gerasimovski kanë për qëllim të matin pulsin e partive politike shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi në Maqedoni në lidhje me mbajtjen e regjistrimit të popullsisë, sipas dëshirës së ideatorit të krijimit të një shoqërie “pa komb e pa fe” ose thënë shkurt “me një komb e me një fe”.

Këtë konstatim e pata shkruar para intervistës së zotit Simovski për RTV 21 por gjatë emisionit ai tërësisht e konfirmoi këtë qëllim. Nisur nga kjo forcat politike shqiptare nuk duhet ti bien samarit por gomarit. Ky tentim i vënies në sprovë të reagimit të popullatës rrënjët i ka qëmoti dhe nuk fillon me pres konferencat e drejtorit të tashëm të Entit Statistikor. Thjesht ai është një mashë e thjeshtë në duart e dirigjuesve të politikës në nivelin më të lartë shtetëror.

E kaluara na mësoi se filozofia e Titos për krijimin e kombit jugosllav jo vetëm që dështoi por pas vete la trauma të pashërueshme sot e kësaj dite dhe ndihmoi në përshpejtimin e shkatërrimit të Jugosllavisë.

Poqese ideatorët e kësaj politike thonë  se regjistrimi është vetëm një operacion i thjeshtë statistikor për të bërë një bibliotekë të të dhënave se sa familje ka në Maqedoni, sa mijë dhen e dhi, sa  pula e sa gjela, sa njerëz kanë rroga minimale e sa maksimale e të mos shënohet se cilit religjion i takojnë dhe cilit komb por vetëm cilën gjuhë e flasin atëherë e kanë tepër gabim (nëse gabojnë pa qëllim) dhe shumë sherr politik nëse nisen nga politika e sherrit. Në këtë drejtim shkon edhe një konstatim i shpëtuar nga goja e një funksionari të lartë të statistikës se përkatësinë etnike do të mund ta përcaktojnë me operacione teknike!!!

Forcat politike shqiptare në Maqedoni vetëm me qëllim të zhvillimit të mëtejmë ekonomik e politik të Maqedonisë dhe integrimit të saj në BE dhe NATO gëlltitën shumë gjëra të pakëndshme nga Marrëveshje e Prespës në dëm të shqiptarëve ndër të tjerat edhe për përkatësinë etnike duke e mashtruar vetveten se fjala “nationality” do të thotë vetëm shtetësi (për shqiptarët) kurse për maqedonasit së pari “komb” e pastaj “shtetësi” dhe lejuan që partia politike maqedonase që i udhëhoqi këto biseda maqedono-greke dhe para elektoratit të tyre të lëvdohet se e ka mbrojtur identitetin e tyre kombëtar. Kësaj radhe, në lidhje me regjistrimin, jam i bindur se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, jo vetëm për shkak të bindjes së tyre politike por mbi të gjitha për shkak të faktit se duhet të pushojnë së shkatërruari të gjithë atë që paraardhësit e tyre politik e ruajtën në favor të barazisë kombëtare me maqedonasit. Sot na duket mjaft qesharake dhe e papranueshme që një lider politik shqiptar ithtar i krijimit të shtetit binacional në diskutimet e tij për preambulën e ASNOM-it këmbëngul që grupe të vogla kombëtare disa-mijëshe ti promovojë në nivel të popullit krahë përkrah me shqiptarët autoktonë dhe popullatë e dytë në Maqedoni. O tempora, o mores!

Konsideroj se bëhet shumë zhurmë për asgjë që vëmendja të tërhiqet në kahje krejt tjetër prej gjendjes aktuale politike e ekonomike këtu në Maqedoni. Ato gjëra që i thekson Enti për statistikë janë përralla të moçme që edhe kur fare ishim të papërvojë i kemi hedhur poshtë qëmoti, në vitin 1991. Atëherë deputeti i VMRO-DPMNE  Tomisllav Stojanovski në propozimin për ndryshimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë propozoi (por edhe deputetët e LSDM e pranuan me dëshirë) që gjuhë e regjistrimit të popullatës të jetë vetëm maqedonishtja dhe kështu e hapi rrugën për rritjen e mosbesimit në baza etnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

Pas këtij ndryshimi “të rastësishëm” rolin kryesor e mori presidenti i atëhershëm Gligorov, duke insistuar të na bind me të njëjtin fjalor si sot, pas 27 viteve pavarësi, duke na thënë se në Evropë nuk qenkan aq primitiv të kërkojnë regjistrim në baza nacionale, se ky na qenka vetëm një operacion i thjeshtë statistikor, etj, etj, etj. Këtë valle atëherë filloi ta luaj edhe komuniteti ndërkombëtar duke na bërë presion të drejtpërdrejtë të dalim në regjistrim sipas kushteve dhe ligjit diskriminues për regjistrim por kryesia e PPD-së dhe kryetari i saj Nevzat Halili si dhe Grupi parlamentar këto kërkesa i hodhi poshtë dhe thirri në bojkot të regjistrimit.

Qëndrimi ynë si PPD ishte shumë i qartë: nuk ka regjistrim pa formularë dygjuhësh për regjistrim, nuk ka regjistrim pa formularë shqip për shqiptarët, pa regjistrues shqiptarë në vendet ku shumicë janë shqiptarët dhe pa regjistrues shqiptarë si kontrollues dhe vëzhgues të regjistrimit në tërë shtetin ashtu siç ligji kishte paraparë të ketë regjistrues maqedonas si kontrollues në vendet ku shqiptarët janë shumicë. Atë që Gligorovi dhe shokët e tij nuk e pranuan dhe as që deshën të dëgjojnë ishte që një kopje e formularit të plotësuar ta mbaj në shtëpi familja e përfshirë në regjistrim. Pas refuzimit të të gjitha kërkesave tona nuk kishte vend që PPD të ftojë popullin dhe lejojë regjistrim të padrejtë të shqiptarëve (edhe pse na kërcënonin me dënime të mëdha me të holla)  Kështu ndodhi bojkotimi i popullsisë në vitin 1991.

Pas bojkotimit duke menduar se shqiptarët janë në numër më pak se sa ata deklarohen Gligorovi dhe shokët e tij insistonin në regjistrimin e serishëm të popullatës por edhe ne e dëshironin një gjë të tillë vetëm nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Në bisedimet tri-palëshe me Gert Arhens, (në emër të Konferencës së Hagës) qeverisë dhe partive  politike shqiptare u shtrua nevoja e një regjistrimi të drejtë të popullsisë. Forcat politike shqiptare insistonin që të plotësohen disa kushte themelore që shqiptarët të besojnë në rezultatet e regjistrimit dhe atë: të rritet dukshëm numri i ekspertëve shqiptarë në Entin e Statistikës në përpunimin e të dhënave, të rritet numri i regjistruesve shqiptarë në terren, që regjistrimi të bëhet nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, regjistrimi të bëhet në dy gjuhë dhe me formular të mbushur shqip si dhe ekspertë ndërkombëtar të përfshihen në  implementimin e standardeve ndërkombëtare në pyetësor, etj.

Regjistrimin e popullsisë në vitin 1994 në Maqedoni e organizoi dhe financiarisht e ndihmoi Këshilli i Evropës dhe operacionit  në emër të Këshillit të Evropës i priu Verner Haug, drejtor i Entit Statistikor të Zvicrës dhe unë, atëherë koordinator i Grupit parlamentar të PPD-PDP-së në emër të shqiptarëve këtu në Maqedoni.

Nënkryetar i Komisionit shtetëror për regjistrim të popullsisë ishte Prof. Asllan Selmani, deputet dhe njohës shumë i mirë i proceseve demografike. Edhe pse u bënë gati të gjitha parapërgatitjet për regjistrim shumë të suksesshëm Enti Statistikor nuk punësoi aq ekspertë shqiptarë sa u morëm vesh. Ai punësoi gjithsejti 37 persona si administratorë të thjeshtë dhe i la jashtë procesit të përpunimit të të dhënave. Dega e PPD-së në Dibër për shkaqe sot e kësaj dite jo të sqaruara sa duhet (ndoshta për liderizëm partiak!) e bojkotoi regjistrimin kështu që për atë regjion Enti shënoi shifra administrative e jo faktike e reale. Por kjo ishte një përqindje e vogël nga e gjithë ajo. Atëherë me gjithë mangësitë shqiptarët sipas regjistrimit nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës në Maqedoni dolën 17,5% kurse sipas regjistrimit të tashëm të 2001, janë 24.5%. Verner Haug në fillim ishte i instrumentalizuar nga ana e elitës politike maqedonase dhe Gligorovi duke trumbetuar se sipas kritereve evropiane në pyetësor nuk duhet të figurojë përkatësia etnike por më vonë edhe ai e pranoi realitetin dhe në ligjin për regjistrim të popullsisë u shkrua edhe përkatësia kombëtare.

Verner Haug edhe tash sërish vjen në Maqedoni dhe propagon sërish të njëjtën filozofi të pushtetit se në Evropë nuk përfshihet në pyetësor përkatësia etnike por partitë politike shqiptare e kanë lehtë që ti thonë se regjistrimin e ardhshëm do ta bëjmë sipas ligjit për regjistrimin e popullsisë nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës në vitin 1994, ligj të cilin në praktikë e ka zbatuar ekipi i ekspertëve që i udhëhiqte ai!

Nuk ka asnjë bazë shkencore e praktike përkatësia etnike të mos përfshihet në pyetësor, posaçërisht në shtetet multietnike që zbatojnë politika multikulturore. Në bazë të numrit të bashkësive etnike, rrjetit të tyre të shkollave, institucioneve shtetërore që kujdesen për barazinë e etnikumeve në Evropë hartohen politika speciale multikulturore për bashkësi etnike të caktuara si bie fjala dekadat evropiane për romët e Evropës.

Shtrohet pyetja në bazë të cilave parametra Maqedonia ka hartuar politika speciale në bashkëpunim me BE-në për Dekadën e romëve? Si do të hartohen programe të posaçme edukimi, programe të posaçme shëndetësore dhe përparimit ekonomik nëse nuk e dimë numrin e tyre?

Nuk ishte fare e rastësishme që një element bazë në MO ishte regjistrimi i popullatës, kjo temë e përhershme definitivisht të dihet kush sa është dhe ku është në Maqedoni. Ne si shqiptarë më kot piskëllojmë se 2O% jemi ne “pjesa e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni” duke harruar se “pjesa e popullit rom që jeton në Shutkë është gjithashtu 2O%, “pjesa e popullit turk në Vrapçisht është më tepër se 2O%. Deputeti dhe kryetari ynë krejt këto pjesë të popujve me 2O% i avancoi ditë më parë bashkë me shqiptarët në “popull”!!!

Regjistrimi i popullsisë në vetvete së pari është operacion politik e pastaj statistikor. Me regjistrimin e popullsisë shteti i përcakton parametrat e zhvillimit ekonomik, social, kulturor sipas regjioneve dhe grupeve të interesit. Nuk është punë e drejtorit të Entit të caktoj se çka mendojnë forcat politike por punë e tij është ta zbatojë politikën që e krijon Parlamenti andaj mendoj se forcat politike shqiptare nuk duhet vëmendjen e tyre tia përkushtojnë provokimeve të drejtorit Simovski por të ulen të bisedojnë me pronarin dhe suflerin e Simovskit.

Së pari drejtori atë që e thotë duhet ta shkruajë në letër si propozim ligj, pastaj të debatojë Qeveria, pastaj të debatojë Kuvendi dhe në fund të bëhet ligj. Mendoj se nuk duhet lejuar që regjistrimi i vitit 2020 të bëhet me laptopa sepse aty bëhen falsifikime. I regjistruari duhet të vërtetoj me nënshkrim se ai dora vetë është regjistruar e jo dikush në emër të tij. Është shumë e rëndësishme opozita shqiptare mos vrapojë pas zotit  Simovski por atij ti kundërvihen përfaqësues të sektorit jo-qeveritar dhe shkencës, opinionistët. Deputetët debatojnë kur çështja vihet në rend të ditës dhe kështu nuk i japin rëndësi të thënave të një njeriu që ata vetë e emërojnë dhe shkarkojnë dhe ia përcaktojnë politikat që ai duhet ti zbatojë. Etiketimet e panevojshme të opozitës për ta gjetur fajtorin para kohës te partia shqiptare në Qeveri ende pa debatuar çështjen nuk çojnë në rrugë të drejtë. Për këtë duhet hartuar dhe zbatuar një strategji të përbashkët që mendoj se në këtë rast lideri i partisë në Qeveri krahëhapur do ta pres.

Se në vendet e BE-së në pyetësorin e regjistrimit nuk parashihet përkatësia etnike e fetare do ta demantojnë tabelat e mëposhtme në regjistrimin e vitit 2011 në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, (marrur nga Zyra e regjistrimit të popullsisë) ende anëtare e BE-së deri në mars të vitit 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button