SHOQËRIA KULTURORE-ARTISTIKE

Fshati Bungajë.  Taverna  “Lurka e Ndocit”. Janë ulur njerëzit rreth një tavoline të madhe në tavernë. Janë të moshës mesatare. Banorë të fshatit. Disa anëtarë të rinj pa punë, disa aktivistë të nëndegës së Partisë fshatare progresiste. Përreth janë mbledhur plot kureshtarë.  Flasin për themelimin e shoqërisë kultorore-artistike, si ide e Gon Kronit. Një student i filozofisë. Aty është edhe Sulë Kaculi. Një burrë nja pesëdhjetëvjeçar, i përzënë nga Partia  fshatare progresiste dhe tash përpiqet të bëhet anëtar i rëndësishëm i Partisë liberale bujqësore i është drejtuar Gon Kronit. I flet diçkanë vesh. Goni e lëviz kokën në shenjë pohimi.

Ndërkohë në tavernë hyn Mal Keta, një burrë te e gjashtëdhjeta, që pjesën dërmuese të moshës e ka kaluar në Austri. Ai rri në këmbë. Pret t’i ofrojnë një vend.

  • Hajde Malo, hunxhu! – i thotë më në fund Sulë Kaculi. Dhe, ia afron një karrige Malës të ulet. Mala ulet.

Heshtje. Jashtë bie mbrëmja ngadalë. Drita e poçes elektrike mezi dukej nga tymi i dendur i duhanit. Në Bungajë kanë nisur të ndizen dritat elektrike, të cilat xixëllonin si yje të largëta. Dëgjohet vetëm ndonjë traktor që kalon pranë tavernës.

  • Ku e patët muhabetin? pyet Malë Keta.
  • E sheh këtë gjalin ktau? i drejtohet Sulë Kaculi Malës.
  • Po, thotë Mala. Të tjerët dëgjojnë. Në Bungajë e kanë këtë të mirë: edhe në ndenja të

odave, edhe në ndenja të tjera, kur flet njëri të tjerët dëgjojnë. Këtë të mirë e kanë. Me të tjerat janë të njëjtë me ata të debateve televizive në atë provokacinë e Muç Nanës. – Kush asht ki gjalë?

  • Ki asht Goni i Kronve. I Uranit.
  • Mashallah! Bën Malë Keta. Po une va preva muhabetin, be!
  • Epo ki gjali ka ni ide. Don ta boje ni shoqni kulturo-artistike n’Bungajë. E ka ba vet ket

projektin hazër. Na i dha letrat t’i shofëm. Na i pamë. Nuk i xhindet asni gabim.Ka met puna veç ta regjistrojmë.

  • Ki e paska ba ket punën vetë, – ndërhyn Malë Keta, e na u dashka ta regjistrojmë. Kjo

nuk um’duket për s’mari!…

  • O Malo, na imi n’Bungajë. Ktau, e din taj, na imi t’gjithë për njanin e njani për t’gjithë, –

thotë Sulë Kaculi.

Malë Keta ia kthen:

  • O Sulë Kaculi, m’duket se tahi ki gjali i Uranit kana për ket ne, e sicëlli pi nesh kana veç

për vejti! Disa veta qeshën…

Ndërkohë vazhdoi biseda. E pyesnin Gon Kronin si e kishte menduar atë shoqëri, kurse djali tregonte si e kishe planifikuar të ketë disa grupe: orekestra, grupi i dramës, grupi i valltarëve, kori i grave, grupi…, grupi i…

Malë Keta kërkoi verë të bënin dolli.

Me gotën në dorë Sulë Kaculi ngrihet në këmbë dhe i cakrron gotat me të gjithë: gëzuar, gëzuar, gëzuar!… Pastaj thotë: – Kjo punë u bë! Bungaja u ba me shoqëri kulturo-artistike! Po unë mendoj çi regjistrimin ta lamë për pranverë. Dimnit nuk du! Si thojni? A e lamë për pranverë?

  • Jo, jo… Do ta regjistrojmë tash!
  • E regjistrojmë, e regjistrojmë!

Dhe, Gon Kroni e regjistroi. Si ansambël shtetëror.

Pastaj, i pari Sulë Kaculi ia uroi Gon Kronit… Pastaj ia uruan edhe të tjerët.

Në fillim të marsit, ndërkaq u mbajtën zgjedhje. Partia  fshatare progresiste i humbi zgjedhjet. Fitoi Partia liberale bujqësore.

Në krye të dy javëve, pas zgjedhjeve në adresë të shoqërisë erdhi letra zyrtare se drejtor i shoqërisë ishte caktuar Sulë Kaculi. Gon Kroni nuk ishte fare në listë. E kishin përjashtuar nga shoqëria! Se kishte fituar Partia liberale bujqësore. E shoqëria ishte regjistruar në kohën e pushtetit të Partisë  fshatare progresiste. Kaq ishte mëkati i Gonit, ndonëse nuk ishte anëtar i Partisë  fshatare progresiste. E nuk dihen meritat e Sulë Kaculit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button