Sekretari i Jashtëm britanik dhe homologu iranian kanë diskutuar për sanksionet

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, diskutoi mënyrat e lehtësimit të transaksioneve financiare ndërkombëtare gjatë një takimi me sekretarin e Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, në Teheran, raportuan mediat iraniane, transmeton REL.

Hunt arriti në Iran të hënën, më pak se dy javë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione mbi sektorët kryesorë të ekonomisë së Iranit.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA tha se Hunt dhe Zarif diskutuan edhe mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Jemen, ku Irani akuzohet për furnizimin me armë të rebelëve shiitë Huthi.

Teherani i mohon akuzat.

Ministria e Jashtme britanike nuk i komentoi ende bisedimet.

Gjatë vizitës, Hunt do të takojë edhe Ali Shamkhanin, sekretarin e Këshillit të Lartë Kombëtar të Sigurisë në Iran.

Hunt pritet të ngrejë rastin e punonjëses britaniko-iraniane të ndihmës, Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila është burgosur në Iran qysh në prill të vitit 2016.

Zaghari-Ratcliffe, menaxhere projekti pranë Fondacionit Thomson Reuters, po shërben dënimin prej pesë vjetësh burgim, nën dyshimet se ka bërë komplot për të rrëzuar establishmentin fetar të Iranit.

Ajo dhe familja e saj i hedhin poshtë këto akuza.

Zyrtarët britanikë kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e Zaghari-Ratcliffe në bisedimet me udhëheqësit iranianë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button