Gjermania ndaloi të gjitha eksportet e armëve në Arabinë Saudite

Gjermania njoftoi se ka ndaluar të gjitha eksportet e armëve në Arabinë Saudite, si masë për të rritur presionin mbi Rijadin për të kryer hetim të plotë për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Philipp Jornitz, tha se qeveria gjermane ka njoftuar kompanitë, të cilat tashmë kishin marrë licenca eksporti, që aktualisht nuk do të lejohen eksportime të armëve në Arabinë Saudite.

Komentet e tij erdhën pas raportimeve në mediumet amerikane të cilat pohuan se CIA ka ardhur në përfundim se vrasja e Khashoggit ishte urdhëruar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.

Qeveria gjermane kishte vendosur muajin e kaluar të mos miratojë eksporte të reja të armëve në Arabinë Saudite, por Berlini nuk kishte arritur t’i bllokojë dërgesat e armëve tashmë të miratuara.

Sot, zëdhënësi i kancelares Angela Merkel përsëriti thirrjen që Rijadi të kryejë një hetim të plotë dhe transparent për vrasjen e Khashoggit.

“Rrethanat e këtij krimi të tmerrshëm nuk janë qartësuar ende në një mënyrë të kënaqshme”, tha Steffen Seibert para gazetarëve në Berlin.

Khashoggi, gazetar saudit që punonte për gazetën The Washington Post, u vra pak pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Arabia Saudite ka ofruar sqarime të ndryshme për zhdukjen e Khashoggit, para se të sugjeronte se ai ishte vrarë gjatë një operacioni nga agjentë që kanë vepruar jashtë kompetencave.

Deri tani, 21 persona, përfshirë oficerë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button