Programi Kulturor 2019, ministri Ademi do të ketë numër të veçantë për të denoncuar parregullsitë

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi do të vë në funksion numër telefoni personal, nëpërmjet të cilit do të denoncohen parregullsitë apo edhe keqpërdorimet e artistëve gjatë ndarjes apo edhe realizimit të projekteve kulturore që do të parashihen me Programin Vjetor Kulturor 2019, transmeton Portalb.mk. U publikuan edhe emrat e kryetarëve të komisioneve.

Në takimin joformal me gazetarët, ministri Ademi njoftoi se qytetarët dhe artistët do të mund ta kontaktojnë drejtpërdrejtë për çdo parregullsi dhe keqpërdorim që mund të bëhen në kuadër të Programit Kulturor Vjetor 2019.

“Unë nuk jam “supermen”, prandaj kërkoj edhe nga ju që të denonconi çdo parregullsi që mund ta shihni. Do të vë në funksion edhe numër telefoni personal, në të cilin do të mund të paraqitet çdo qytetar, a artistë që ka vërejtur se ka parregullsi në realizimin e Programit Vjetor, apo edhe se është keqpërdorur nga ndokush”, tha Ademi.

Ademi njoftoi se për projektet që do të financohen në kuadër të Programit Vjetor Kulturor 2019 janë dorëzuar 5000 aplikacione, ndërkohë që komisionet punuese do të nisin aktivitet më 21 nëntor, e mërkurë. Rezultatet do të publikohen gjatë periudhës 28-31 janar të 2019-s.

Kryetarë të Komisioneve janë: Suat Kamberi (veprimtaria interdisciplinare), Pleurat Gashi (veprimtaria: Folklor, muzikore-skenike), Berton Sulejmani (veprimtaria botuese), Petar Arsovski (veprimtaria e dramës), Trajçe Bllazhevski (artet vizuale), Aneta Serafimova (trashëgimia kulturore e paluajtshme), Milla Shurbanovska (veprimtaria muzikore dhe trashëgimia kulturore jomateriale), Vildane Idrizi (veprimtaria bibliotekare), Xheladin Lokmani (investime).

“Do të respektohet afati ligjor prej 45 ditëve pas miratimit të Buxhetit të RM-së që të kumtohen rezultatet. Gjatë periudhës 28-31 janar të 2019-s do të publikohen rezultatet fillestare me emrin, mjetet e kërkuara dhe të aprovuara”, tha Ademi.

Ministri ka informuar për konkursin aktual që është në rrjedhë e sipër e që është shpallur për herë të parë këtë vit “Evropianët e Rinj”, si dhe për konkurset tjera, si: për ndarjen e kompensimeve mujore për artistët e pavarur, për përkrahjen e përsosjes profesionale të talenteve të reja dhe kuadrove deficitarë, për konkursin e Bienales së Venedikut të artit, si dhe për “Valën e Re Kulturore”.

Në takimin joformal është folur edhe për raportin e grupit punues për kontroll të punimeve të rikonstruimit të Teatrit Shqiptar të Shkupit.

LEXO: Raporti i kontrollit të rikonstruimit të Teatrit Shqiptar, në duart e PSP-së
LEXO: Rikonstruimi i Teatrit Shqiptar, dhjetë parregullsitë e evidentuara në raportin e kontrollit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button