Kryeministrja britanike emëroi ministrin e ri për Brexit

Stephen Barclay është emëruar Sekretari i ri për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, teksa kryeministrja britanike, Theresa May synon të plotësojë të gjitha pozitat në kabinetin e saj, transmeton REL. 

Barclay, i cili ka qenë mbështetës i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka shërbyer më parë si ministër i Shëndetësisë dhe Kujdesit Shëndetësor.

Ai zëvendëson Dominic Raab, i cili ka dhënë dorëheqje të enjten, pas publikimit të planit të kryeministres May për Brexit.

Zëdhënësi i kryeminstres ka thënë se Barclay do të vazhdojë përgatitjet për marrëveshje apo jo rreth Brexitit në pozitën e tij të re.

Ky njoftim ka ardhur pasi Amber Rudd është emëruar në pozitën e re si Sekretare për Punë dhe Pensione, duke zëvendësuar Esther McVey, e cila po ashtu është dorëhequr pas prezantimit të planeve të kryeministres May për Brexit.

Barclay është personi i tretë që emërohet në pozitën e Sekretarit për Brexit prej kur është krijuar kjo pozitë, meqë Raab dhe David Davis, kanë dhënë dorëheqje pas publikimit të strategjisë së May për Brexit në periudha të ndryshme.

Kabineti i kryeministres May është pajtuar për planin e saj fillestar për Brexit.

Pas arritjes së gjuhës së përbashkët, shumë deputetë kanë kërkuar për organizimin e një votëbesimi për May, mirëpo megjithatë ajo ka thënë se do të vazhdojë punën e saj sepse beson se plani i saj është më i miri për interesin kombëtar të Britanisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button