Aleanca për Shqiptarët me tre propozime për të reduktuar vdekshmërinë e foshnjave dhe të nënave

Shtatëmbëdhjetë Nëntori shënohet si Dita botërore e lindjes së parakohshme apo prematuritetit, duke pasur parasysh numrin alarmant të vdekshmërisë së foshnjave në Maqedoni, Aleanca për Shqiptarët ka dal me reagim deri tek institucionet kompetente në lidhje me këtë çështje, përcjell Portalb.mk.

“Maqedonia është e vendosur në grupin e vendeve me të ardhura mesatare, me një shkallë të vdekshmërisë foshnjore prej 8.3 në 1000 fëmijë të lindur. Ky është numri mesatar i një mijë të sapolindurve që kanë vdekur në 28 ditët e para të jetës. Kjo statistikë e zezë e pozicionon Maqedoninë në krye të rajonit për shkallën e vdekshmërisë foshnjore dhe e dyta në Evropë, pra pas Moldavisë. Sipas shkallës së vdekshmërisë, Maqedonia është në shoqëri me Grenlandën, Mauritaninë, Kolumbinë dhe Fixhin. Nga vendet e rajonit, shkallë të lartë të vdekshmërisë foshnjore ka në Turqi – 6.5, Shqipëri – 6.2, Bosnjë dhe Hercegovinë – 4.7, pastaj Serbia me 3,7 , Kroacia me 2,9 dhe Mali i Zi me 2,7 vdekje për 1000 fëmijë të lindur.

Ministria e Shëndetësisë u tregua insuficiente dhe jokonkrete, pavarësisht përpjekjeve të paralajmëruara për të ulur shkallën e vdekshmërisë foshnjore në Maqedoni. Kjo çështje kërkon veprim të përbashkët të gjithë faktorëve relevantë politikë në shëndetësi me qëllimin e vetëm – eliminimin e rezultateve zhgënjyese dhe udhëheqjen në statistikat e zeza”, thuhet në njoftimin për media nga kjo parti.

Departamenti i shëndetësisë pranë Aleancës për Shqiptarët propozon tre veprime konkrete për të reduktuar vdekshmërinë foshnjore dhe të nënave:

  1. Të përmirësohet infrastruktura dhe të sigurohen pajisjet optimale për mbarëvajtjen normale të procesit të punës të personelit mjekësor,
  2. Të ndërmerren masa urgjente për të parandaluar migrimin e brendshëm ose të jashtëm të personelit mjekësor me përvojë, si dhe
  3. Të hapen Njësitë neonatologjike për kujdes intensiv dhe terapi në Tetovë, Strumicë dhe Manastir.

Sipas UNICEF-it, shkalla e vdekshmërisë të foshnjave në Maqedoni po rritet. Në Evropë më keq se Maqedonia është vetëm Moldavia. Nga UNICEF-i kanë vlerësuar se vdekshmëria e lartë reflekton jo vetëm efikasitetin e sistemit shëndetësor, por edhe atë të zhvillimit ekonomik, varfërisë e mirëqenies sociale, si dhe sëmundjet e ndryshme dhe cilësia e ajrit të mjedisit jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button