ANALIZË: Për kredi banesore dhe konsumatore qytetarët kanë borxh prej pothuajse 2 miliardë euro

Përqindjet historike të rritjes së kreditimit prej 39% nuk do të përsëriten, por vitin e ardhshëm dhe në vitet që vijnë, kreditimi do të jetë i qëndrueshëm, me përqindje mesatare të rritjes prej 8.4%. Aktualisht, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave dhe i kursimoreve arrin në 5 miliardë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e depozitave të kursimit arrin në 5.8 miliardë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalbit. Në fund të shtatorit, saldoja e kërkesave të dyshimta dhe kontestuese është 251 milionë euro.

Në vitin 2019 – rritje kreditore prej 8,5% …

Kërkesat për kredi nga ana e amvisërive u ngadalësua në tremujorin e tretë ekonomik, me dinamikë më të shpejtë në krahasim me atë të mëparshmin, por sipas pritshmërive të bankierëve, ky trend do të ndryshojë në tremujorin e fundit.

“Rënia neto e kërkesës për kredi në sektorin e amvisërive në tremujorin e tretë është në kundërshtim me pritjet e bankave, të dhëna në anketën e mëparshme. Për tremujorin e katërt të vitit 2018, bankat presin një rritje neto të kërkesave për kredi banesore dhe konsumatore, sikurse edhe në anketën e mëparshme” – thonë nga Banka Popullore.

Në periudhën që kaloi, sipas analizave të bankierëve, kërkesat për kredi konsumatore janë ngadalësuar, ndërsa në rastin e kredive banesore ka një rritje të vogël neto. Të dhënat më të reja që janë në dispozicion tregojnë se në fund të shtatorit , amvisëritë (personat fizikë dhe ushtruesit e pavarur të veprimtarisë) në banka kanë pasur borxhe në vlerë prej 2 miliardë e 487 milionë eurosh.

Borxhet e amvisërive për shkak të kredive:

  1. Kredi konsumatore 1 268 000 000 euro
  2. Kredi banesore 713 500 000 euro

“Në tremujorin e tretë, është regjistruar një rritje e kërkesës për kredi të korporatave, por më e dobët krahasuar me situatën në tremujorin e dytë. Sipas bankave, ky ndryshim është rezultat i zvogëlimit të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kredi afatshkurtra dhe afatgjata, me ç’rast ngadalësim i kërkesës vërehet edhe në kërkesën për kredi nga ndërmarrjet e mëdha” – kanë deklaruar bankierët në anketën e sapo publikuar për aktivitetin kreditues.

Momentet më të mëdha të rritjes kredituese u arritën nga viti 2004 deri në vitin 2008. Sipas analizës së të dhënave të bëra nga “Portalb”-i, në vitin 2007, përqindja e rritjes kredituese tejkaloi vlerën 39% dhe konsiderohet si historikisht më e larta.

Në fund të këtij viti bankar, sipas parashikimeve të BPM-së, vitin e ardhshëm pritet përshpejtim i ritmit të rritjes kredituese, i cili do të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

“Për vitin 2019 pritet një dinamikë e ngjashme e rritjes së aktivitetit kreditues prej 8.5% (7.7% në projektimin e prillit), ndërsa për periudhën e ardhshme deri në fund të vitit 2021, pritet që rritja kredituese të jetë mesatarisht 8.4%. Vlerësimet për përshpejtimin e rritjes kredituese bazohen në supozimet për pritje të qëndrueshme, rritje të potencialit të depozitave të bankave dhe rritje të aktivitetit ekonomik” – thonë nga NBM-ja.
Disa bankierë për “Portalb“-in, komentuan se pasiguria e përgjithshme politike, sidomos në periudhën para mbajtjes së referendumit dhe ngjarjet në Parlament pas përfundimit të tij, ndikoi në aktivitetin kreditues duke u përmbajtur nga huamarrjet e reja edhe te qytetarët edhe te bizneset. Ky vit, sipas parashikimeve të fundit, do të përfundojë me rritje kredituese prej 8.4%.

Kursimi stabil – në librezat e kursimit në banka ka 5,6 miliardë euro…

Me përqindje mesatare të rritjes së depozitave prej 8% në vit, kursimet në vend arritën në 55% të PBB-së. Sipas të dhënave më të fundit, baza e përgjithshme e depozitave në banka dhe kursimore arrin në 5.8 miliardë euro. Ajo që inkurajon dhe e konfirmon besimin në monedhën vendase është rritja e kursimeve në denarë, thotë guvernatorja, Anita Angellovska-Bezhoska.

“Veçanërisht pozitive është rritja më e fortë e depozitave në monedhën vendase dhe përshpejtimi i rritjes së kursimeve afatgjatë, gjë që e forcon kapacitetin e bankave për plasime afatgjata dhe mbështetje të projekteve investues. Por, pavarësisht trendeve pozitive, është e dukshme nevoja për rritje të mëtejshme të kursimeve të përgjithshme vendore, gjë që është një karakteristikë e përbashkët e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore” – deklaroi guvernatorja.

Analiza e të dhënave për rritjen e depozitave tregon se në periudhën prej pesë viteve, ose nga viti 2014 deri më tani, baza e depozitave është rritur për pothuajse 1.2 miliardë euro.

Gjatë viteve të fundit, ngadalë ndryshoi edhe struktura valutore e depozitave, me çka tani dominon kursimi në denarë. Kështu, 59.4% e kursimeve të përgjithshme në monedhën vendase, ndërsa pjesa e mbetur prej 40.6% janë kursime në deviza.

“Në përputhje me përmirësimin e performancës së deritanishme, e poashtu edhe me vlerësimet për ambient të qëndrueshëm dhe rritje të aktivitetit ekonomik, është bërë një përmirësim pozitiv i rritjes së depozitave, e cila pritet të jetë 10,2% dhe 7.7% përkatësisht për vitin 2018 dhe 2019 (në projeksionin e prillit rreth 6.5%) me përforcim të moderuar të rritjes në periudhën e ardhshme prej 8.6%, mesatarisht, për periudhën 2020-2021” – shkruan në projeksionet e reja të rishikuara të Bankës Popullore. Si rezultat i pasigurisë për shkak të situatës politike, veçanërisht në lidhje me integrimin euro-atlantik, në periudhën e kaluar është vërejtur përmbajtje e investimeve, e cila është reflektuar me kërkesë më të dobët të kredive për investime nga kompanitë vendase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button