Piktura e artistit britanik Hockney është shitur me çmim rekord

 Një pikturë e famshme e artistit britanik David Hockney është shitur me një çmim rekord në një ankand në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Tabloja e titulluar “Portreti i artistit (Dy figura në pishinë)” është shitur për 90,3 milionë dollarë në një ankand në New York, njoftoi Shtëpia e Ankandeve Christie’s.

Shuma e paguar për pikturën paraqet çmimin më të lartë të paguar ndonjëherë për veprat e ndonjë artisti të gjallë.

Alex Rotter, bashkëkryetar i artit të pas luftës dhe bashkëkohor në Christie’s, në njoftimin e tij në shtator për nxjerrjen e pikturës në shitje, ishte shprehur se kjo tablo e Hockneyt është më e çmuara në mesin e veprave të tij, si nga aspekti i historisë së artit, ashtu edhe nga aspekti i vlerës së saj të tregut.

“Piktura reflekton perspektivat evropiane dhe amerikane të një artisti që erdhi të jetojë në Kaliforninë me diell në vitet 60 dhe e pa veten duke jetuar në të dy kontinentet”, kishte thënë Rotter.

Artisti 81-vjeçar jeton ende në Kaliforni.

Rekordi i mëparshëm nga një artist i gjallë ishte vendosur nga statuja “Qeni prej balone” e artistit konceptual Jeff Koons, e cila ishte shitur për 58,4 milionë dollarë në vitin 2013.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button