fbpx

Lexues, kujdes nga analizat fiktive të mendimit publik!

Burimi: KriThink

Në tekstin që po recensojmë, ka bollëk shkeljesh dhe daljesh nga standardet themelore të gazetarisë. Gazetari nuk duhet të bëhet analist, matës i shikueshmërisë, e matës i ndjenjave të qytetarëve e të tjerë. Ai është mbledhës i fakteve dhe argumenteve, dhe korrigjues i shoqërisë, por jo edhe avokat i politikanëve siç është bërë në këtë tekst që është PR klasik. Lajmi është i mirë derisa e klikon, pasi titulli të jep ndjesinë se do të lexosh një anketë serioze me numra të besueshëm, ndërsa në fakt lexon analizë të dikujt që thirret në disa “analistë”.

Linku deri te artikulli origjinal: Analizë: Ziadin Sela tre herë më i fortë se Ali Ahmeti!

Data e publikimit: 02.11.2018

Data e recensionit: 16.11.2018

Recensuese: Ferikan Iljazi

Mos i lexoni vetëm titujt pasi ju mashtrojnë!

Lexuesi jo i informuar mirë me funksionimin e rrjeteve sociale, ose të paktën ai që i lexon vetëm titujt, fiton përshtypje të gabuar për këtë tekst. Mund të mendojë se vërtetë është bërë ndonjë hulumtin i mendimit publik e që e ka nxjerrë këtë konstatim dhe analizë për forcën politike të dy liderëve politik shqiptar.

Në këtë rast duket edhe anshmëria politike që ka autori i tekstit ndaj politikanit, pasi i mban krahun njërit e e degradon një tjetër. Pavarësisht se cili në cilën pozitë është, gazetari nuk është anketues, e as pronar i agjencisë për hulumbim të mendimit publik, dhe kësisoj, nuk guxon ti manipulojë lexuesit se gjoja qenka munduar dhe bërë hulumtim, vetëm me një “livestream” të fejsbukut që është i ndryshueshëm dhe mund të ishte shkrepur në momentin kur ka patur më së shumti ose më së paku shikueshmëri, dhe lexuesi ska si ta verifikojë se si më tej ka shkuar shikueshmëria, a është rritur ose zvogëluar. Pra në këtë rast duket se gazetari ka shfrytëzuar vetëm të dhënat ose provat që i shkojnë për shtati mendimit të tij personal dhe tekstin që e ka shkruar.

Kujdes nga truku i analistëve fiktiv!

Përveç anshmërisë, gazetari thirret në vlerësime të ekspertëve, që shpesh përdoret si truk për ta mashtruar lexuesin se gjoja shumë njerëz të tjerë ose njerëz të mençur, mendojnë si ai ose ajo.

“Ajo që ra në sy të ekspertëve që merren me matje të shikueshmërisë ishte fakti që shikueshmëria në të cilën ishte i ftuar Ali Ahmeti ishte tre herë më e vogël se emisionit ku ishte i ftuar Ziadin Sela”, shkruan autori në tekst, por askund nuk tregon as se kush janë ata ekspertë fejsbuku, dhe sa janë në numër, për të arsyetuar atë që ka shkruar në tekstin e tij. Emri dhe mbiemri i atyre personave ndoshta do ta kishte zbutur tekstin, por jo edhe faktin se është bërë me qëllim të manipulimit dhe spinimit të informatës.

Por në këtë tekst ka edhe një element tjetër që është truk për manipulim që përdoret shumë shpesh te mediat tona. Paraqiten vetëm dy forca të kundërta dhe krijohet përshtypja se në skenën politike të Maqedonisë ekzistojnë vetëm dy politikanë të fortë, duke menjanuar kështu të gjithë të tjerët si të “parëndësishëm”: Edhe pse gazetari është i vëtëdijshëm për këtë fakt, qëllimish vë në peshore vetëm dy forca politike.

Lexuesi nuk duhet të bie pre e këtyre teksteve që prej aeroplani duken që janë shkruar vetëm për të manipuluar qytetarët. Ka një mori elementesh që janë jashtë standardeve gazetareske e që e bëjnë këtë lajm të pavlefshëm, prandaj nuk duhet të bëheni pre e një spini të kurdisur nga politika. Saherë kur flitet për politikanët, keni kujdes. Sigurisht se duhet të keni kujdes edhe prej kujt informoheni. Nëse i përcillni rrishtazi politikat redaktuese të disa mediave, do të kuptoni se cili për kë punon, për interesin tuaj apo të ndonjë politike. Për të qenë ky tekst i besueshëm, forma  e tij duhej të ishte krejtësisht ndryshe. Dihet se ka standarde për matjen e hulumtimit publik, i cili asnjëherë nuk matet nëpërmjet rrjeteve sociale, por nëpërmjet anketave individuale me qytetarë të profileve të ndryshme për nga mosha, gjinia, vendi ku jetojnë e të tjerë. Pra duhej të ekzistonte një anketë e vërtetë, e jo një analizë Fejsbuku që edhe ashtu ia ul seriozitetin lajmit.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button