Helmimi i kafshëve në Tetovë: Mizëri e papranueshme, të jepet përgjegjësi

Pas shpërndarjes së fotografive për helmimin e qenve në territorin e Komunës së Tetovës, reagime të shumta ka pasur në opinion: “Tetova qelbet”, “Jo kështu!”. Ka pasur qytetarë që kanë thënë “mundeshim t’i lirojmë, t’i dërgojmë në Budapest”, duke e krahasuar helmimin me arratisjen e ish kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevskit, transmeton Portalb.mk. Të gjithë kërkojnë përgjegjësi nga Komuna, por kjo e fundit thotë se nuk është kompetente.

Të gjitha këto komente u dhanë deri sa qytetarët kanë shpërndarë reagimin e Shoqatës Ekologjike Eco Guerilla, ndërkohë që reagimi është shpërndarë edhe nga Organizata për Mbrojtjen e Kafshëve Anima Mundi, por pa komentuar rastin. Nga Eco Guerilla për helmimin e qenve thonë se është mizëri e papranueshme.

“Jo helmimit të qenve endacakë. Megjithëse qyteti është i vërshuar nga një numër i madh i qenve endacakë, helmimi i tyre, nga kushdo qoftë që të jetë bërë, është mizëri e papranueshme. Në bazë të ligjit për veprimtari komunale, Neni 5, Paragrafi 15 parashihet: “Komunat kanë për obligim dhe strehimin e kafshëve, qenve të pastrehë, endacakë, dhe në bazë të ligjit për mbrojtje dhe mirëqenie të kafshëve, Neni 25, Paragrafi 1 dhe 2, grumbullimi dhe transporti i kafshëve, qenve endacakë duhet të bëhet në mënyrë që ato, kafshët mos dëmtohen fizikisht apo mos të rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre”, thuhet në reagimin e Eco Guerillës.

Nga Eco Guerilla i bëjnë apel Komunës që të përshpejtojnë procedurat për ndërtimin e strehimoreve për kafshët endacake dhe të njëjtat t’i largojnë nga rrugët dhe lagjet e qytetit dhe vendbanimeve, sipas ligjit dhe rregullave të pranueshme dhe të praktikuara edhe në vendet tjera të Evropës.

Komuna e Tetovës thotë se nuk është kompetente për helmimin

Zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu për Portalb.mk tha se Këshilli Komunal ka ndarë mjete për standardizimin e trajtimit të këtij fenomeni, dhe implementimi i këtij projekti do të fillojë në vitin 2019.

“Komuna nuk është kompetente për këtë çështje. Administrata komunale dhe udhëheqësia sipas kornizës ligjore të Republikës së Maqedonisë ushtron funksione tjera. Organet e rendit duhet ta trajtojnë çështjen në fjalë, që të mund rasti të zbardhet. Këshilli Komunal ka ndarë mjete të caktuara për standardizimin e trajtimit të këtij fenomeni, implementimi i këtij projekti fillon nga viti 2019”, tha Fazliu.

Ndërkaq Faton Islami vlerëson se helmimi i kafshëve është akt i organizuar.

“J’au kemi thënë para dy javëve këtë gjë. Vrasja dhe helmimi është johumane dhe duhet të dënohet. Ky akt është akt i organizuar dhe duhet të zbardhet rasti dhe të përndiqet penalisht”, ka thënë vlogeri Faton Islami i cili kohë më parë publikoi video me anë të së cilës tregoi gjendjen e mjeruar në Strehimorja “Vardarishte” në të cilën sterilizohen dhe strehohen qentë e endacakë.

“Të paktën kur të ndërmerrni diçka, çojeni punën deri në fund. Si lejoni një pasqyrë të këtillë, ku në foto duket shumë e dhembshme, e jo më të shihen direkt në rrugë. Ka fëmijë dhe njerëz që se durojnë këtë pamje”, ka thënë një tjetër qytetare.

“Hedhin qenë në rrugë, të cilët i ndajnë nga nënat, dhe kur të rriten do t’ua hanë fëmijët rrugëve. Edhe unë do të haja njerëz, nëse njerëzit do të më linin në rrugë të vdisja”, tha një tjetër qytetar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button