Testimi ekstern u shfuqizua, ndërsa ai shtetëror assesi nuk po fillon

Në fillim të këtij viti akademik, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Petar Atanasov njoftoi se shteti do të kryejë testimin në nivel shtetëror, testim ky që duhet të zëvendësojë testimet eksterne.

Tremujori i parë i këtij viti shkollor kaloi, por ende është e paqartë se kur do të fillojë realizimi i tij,  shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ministri Arbër Ademi deri më tani nuk e ka informuar publikun më detajisht për këtë risi, ndërsa nuk i përgjigjet as telefonatave tona.

Atanasov thotë për Meta, se edhe te të huajt edhe zyrtarët përgjegjës në Qendrën shtetërore për provime (QSHP) ka vullnet që ky testim të realizohet.

“QSHP-ja është e vendosur të ofrojë dhe ka kapacitet për të punuar në idenë e “Testimit Nacional”, sepse ata edhe ashtu e realizojnë maturën, ndërsa edhe të huajt janë të interesuar të na ndihmojnë. Aktualisht, ata po analizojnë  dhe janë duke kërkuar përgjigje përse kemi rezultate të dobëta në PISA dhe në teste tjera ndërkombëtare. Është e vështirë të përgjigjesh kur fillon të zbatohet. Duhet pasur parasysh se të gjitha testimet masive janë shumë të shtrenjta dhe të ndërlikuara”,  thotë Atanasov.

Në këtë moment, në arsim nuk ka testime përveç maturës shtetërore dhe provimeve pranuese gjatë regjistrimit në disa shkolla.

“QSHP-ja duhet të propozojë, ndërsa ne si një ministri, me ligj, duhet së bashku të realizojmë testimin nacional. Mendoj se kjo nuk guxon të bëhet çdo vit dhe nuk guxon të implementohet kudo. Dhe, sigurisht, testimi duhet të ekzistojë për nevojat e politikave të ministrisë, e jo të ndikojë në rezultatet e suksesit të nxënësve”,  shton ai.

Atanasov në shtator fillimisht deklaroi se planifikohet që nxënësit të testohen dy herë gjatë arsimit fillor. Një herë në klasën e katërt dhe për herë të dytë në klasën e nëntë. Një model i tillë implementohet në Slloveni.

Në Maqedoni, deri vitin e kaluar, kishte testim ekstern, të cilin ish Ministrja e arsimit dhe shkencës Renata Deskoska e shfuqizoi. Të gjitha notat regjistroheshin në dëftesa, madje edhe njëshat, që sikurse notat tjera hynin në suksesin mesatar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button