Hungaria e quan të padrejtë vendimin e BE-së për vizat ndaj Kosovës

Në kohën kur janë rritur zërat se Kosova nuk do të ketë liberalizim këtë vit, Hungaria ka dalë në mbështetje të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto e ka quajtur të padrejtë Evropën karshi Kosovës, për të cilën tha se i ka plotësuar 95 kriteret e vëna nga BE-ja, njofton Koha.net.

Pas takimit me kryediplomatin kosovar Behgjet Pacolli, ai ka siguruar se Hungaria do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën evropiane.

“Dua të jem i sinqertë e të ju them se si BE-ja ja sillet ndaj Kosovës me çështjen e vizave. Është e padrejtë, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që i janë dhënë. Nuk dëshirojmë që Bashkimi Evropian ta lërë Kosovën në pritje në këtë mënyrë. Andaj, Hungaria e përkrah liberalizimin e vizave. Shpresoj se gjatë kryesimit të Austrisë kjo çështje do të përfundojë dhe do të vihet në agjendë, përndryshe Hungaria do të votojë Pro”, ka thënë Szijjarto.

Ai ka folur edhe për procesin e dialogut, për të cilin tha se do ta përkrahin çfarëdo marrëveshje që do ta arrijë Kosova me Serbinë.

“Ne jemi përkrahës që ta përfundoni me sukses këtë dialog dhe pavarësisht rezultatit ne do ta përkrahim. Varet nga ju se çfarë marrëveshje do të arrini. Ne jemi shtet fqinj, andaj ndoshta kuptojmë pak më mirë sesa perëndimorët se çfarë nënkupton stabiliteti në rajon”, ka thënë Szijjarto.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ndërkaq, ka thënë se Hungaria njihet si shtet që gjithmonë e ka përkrahur Kosovën në të gjitha fushat.

Ndërkohë, me palën hungareze, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka nënshkruar marrëveshje për implementimin e projektit të Sistemit Inteligjent të Transportit.

Lekaj tha se me këtë projekt do të bëhet i mundur kontrolli dhe mbikëqyrja e automjeteve në rrugët nacionale.

Kryediplomati hungarez ka takuar gjatë ditës edhe Presidentin e Kryeministrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button