Zaev në Sofje: Të rinjtë në Ballkan kanë potencial për zbatim të ideve “start up”

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë potencial për të kapur momentin për përparim, sidomos të rinjtë, përmes mundësive të cilat ofrojnë shoqëritë tona të hapura përmes ndërlidhjes dixhitale të internetit, deklaroi sot në Sofje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në Samitin “Start Up”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zaev kishte një adresim në panelin e parë të diskutimit, ku u fol për rëndësinë e inkurajimit të dixhitalizimit dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e inovacionit dhe “start up”-it, si një segment i rëndësishëm në transformimin dixhital të Ballkanit Perëndimor.

Bashkë me kryeministrin e Maqedonisë, pjesë e panelit ishin edhe kryetarët e qeverive të Malit të Zi dhe Serbisë, Dushko Markoviç dhe Ana Brnabiç ndërsa me fjalë hyrëse foli edhe kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe Eurokomisarja, Maria Gabriel.

Zaev tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë potencial për të kapur momentin për përparim, sidomos të rinjtë, përmes mundësive të cilat ofrojnë shoqëritë tona të hapura përmes ndërlidhjes dixhitale të internetit, duke transmetuar në vend përvojat e marra në botë, që sipas tij, janë përfshirë edhe në sistemin arsimor të vendit, në mënyrë që të rinjtë të marrin njohuritë e duhura.

“Qeveritë tona po gjejnë mënyra si në mënyrë më intensive të përkrahin inovacionet, zhvillimin teknologjik dhe bizneset ‘start up’, për të nxitur një mënyrë të të menduarit më kreativ”, theksoi Zaev.

Ai tha se Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbështet dhe inkurajon inovacionin.

“Gjatë vitit 2018, Qeveria e Maqedonisë ka përkrahur projekte inovative të kompanive në vlerë me 13 milionë euro. Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik ka mbështetur 100 kompani inovative për të avancuar idetë e tyre kreative dhe t’i plasojnë në treg”, tha Zaev.

Në kuadër të Samitit, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, takoi Eurokomisaren Marija Gabriel, me të cilën ka diskutuar për Parkun Teknologjik Shkencor, i cili pritet të hapet në Shkup deri në fund të këtij viti, por edhe mbi mundësitë që Republika e Maqedonisë të jetë nikoqire e akademisë së parë rajonale për sigurinë kibernetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Samiti “Start Up” i cili mbahet në kryeqytetin e Bullgarisë në organizim të Bashkimit Evropian mbështetet nga Eurokomisarja për Ekonomi Dixhitale, Marija Gabriel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button