27 prilli, u publikuan sms porositë e telefonit të Kërsto Mukoskit, Pishev: Nëse duhet do të vrasim për Maqedoninë

Në seancën e sotme për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë, prokurorja Vilma Ruskoska i ka prezantuar sms porositë dhe porositë e viberit nga telefoni i deputetit Kërsto Mukoski, të bëra vitin e kaluar, njofton Portalb.mk.

Nga porositë mund të shihet se Mukoski bashkë me deputetët Johan Tarçullovski, Vasill Pishev, ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski dhe edhe dhjetëra persona të tjerë, në mesin e të cilëve janë edhe funksionarë nga VMRO-DPMNE, si dhe kryetari i Rinisë së partisë, Vlladimir Nellkoski, por edhe kryetarja e Unionit të Grave, Daniella Rangellova, të cilët kanë marrë pjesë në grupin e formuar në viber, është kryer organizimi i qytetarëve në natën e sulmit në Kuvend.

Komunikimi fillon nga një person Cvetan Tripunovski i cili në orën 17:48 në grup pyet se çarë po ndodh në sallën kuvendore. Menjëherë i përgjigjet deputeti Johan Tarçullovski, duke thënë se “po mbrohet Maqedonia, i kanë goditur dushmanët, nuk ka kthim mbrapa”.

Menjëherë pas kësaj, në orën 17:54, deputeti Vasill Pishev thotë “Vëllezër dhe motra nuk ka lëshim, nëse duhet do të vrasim për Maqedoninë”.

Në orën 19:28 personi Aleksandar Atanasov thotë se “lartë i rrahin komunistët”.

Në ora 20:36, një person të cilin Mukoski nuk e ka të regjistruar në kontaktet e telefonit thotë “Zoki duhej të ishte në tjetër vend, por hajt për tjetër herë”.

Tërë kohën derisa kanë zgjatur bisedat, Mile Janakieski në grup ka ftuar që sa më shumë qytetarë të vijnë drejt Kuvendit.

Ndryshe Prokuroria të akuzuarit i akuzon për kryerjen e veprës penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues, ndërkaq pala mbrojtëse thotë se nuk ekzistojnë dëshmi për të njëjtën.

Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mlladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakariе Simovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vllatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.

LEXO MË SHUMË: RASTI I 27 PRILLIT NË KUVEND

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button