Mediumi proqeveritar serb: Gruevski ka ikur në Hungari nëpërmjet Shqipërisë

Gazeta serbe proqeveritare “Politika”, ka njoftuar se sipas informatave të tyre, ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është arratisur në Budapest nëpërmjet Tiranës, njofton Portalb.mk.

Në botimin e sotëm, në faqe kryesore është publikuar një tekst pa emër autori, por si tekst i “redaksisë”, në të cilin thuhet se Gruevski me pasaportë të rrejshme, natën e ka kaluar kufirin Maqedoni-Shqipëri dhe ka arritur në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë, prej ku me fluturimin e parë të kompanisë hungareze ajrore “Malev” ka udhëtuar në Budapest.

Gruevski, sipas mediumit, tërë kohën ka pasur kapelë dhe syze dielli, të cilat nuk i ka larguar edhe gjatë fluturimit.

Portalb.mk, ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë që ta komentojë këtë informatë, por e njëjta ende nuk na ka kthyer përgjigje.

Nga ana tjetër, portali hungarez 24.hu, duke e komentuar arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari, shkruan se ai kufirin e ka kaluar me veturë nga Serbia dhe se është ndihmuar nga qeveria serbe për ta kaluar kufirin. Në shkrimin gjithashtu thuhet se për kalimin e kufirit kanë qenë të njoftuar paraprakisht autoritetet hungareze.

“Gruevski, me shumë gjasa hyri në Hungari me automjet nga Serbia, ndoshta me ndihmën e autoriteteve serbe. Për këtë natyrisht kanë qenë të njoftuar dhe shërbimet kufitare hungareze, sepse nuk ka gjasa që ndonjë prej personave të rangut të Gruevskit, të kalojë pa dalë në pah, kur kufiri është i siguruar nga forca të forta të policisë kufitare të cilat janë të vendosura nga të dyja anët. Nuk ka gjasa që Gruevski të vijë në Hungari pa njohuri paraprake të autoriteteve hungareze”, shkruan “24.hu”.

Paraprakisht doli një informatë nga mediat hungareze se Gruevski ka ikur në Hungari me pasaportë bullgare, megjithatë autoritetet bullgare thanë se këto lajme janë dezinformata pasi që Gruevski nuk posedon pasaportë bullgare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button