Catch me if you can

Maqedonia nuk do të jetë asnjëherë një shtet i së drejtës. Për fat të keq, asnjëherë nuk do bëhemi të tillë! Deri sa me Nikolla Gruevskin e regjistrojmë vazhdimin e filmit “Më kap po munde”; deri sa Gordana Jankullovska bëhet yll televizioni, duke u ftuar në dy emisione të njëpasnjëshme në dy televizione nacionale në të njëjtën mbrëmje, ku paturpësisht e vazhdon pa pengesa narrativin e saj se të gjitha bisedat e përgjuara kanë qenë të prera, të ngjitura, të montuara e të manipuluara; dhe deri sa Sasho Mijallkov endet i lirë dhe për të njëjtin Prokuroria Speciale nuk kërkon paraburgim, sepse “zotëriu” në fjalë i respekton masat e vendosura nga burgu dhe paraqitet rregullisht në gjykatë, po aq rregullisht sa paraqitej edhe “zotëriu” Gruevski gjersa nuk vendosi të arratisej; prej nesh shtet i së drejtës nuk bëhet.

Në një shtet të së drejtës, arratisja e të akuzuarit kryesor për përgjimin tetëvjeçar të mbi 20.000 qytetarëve të shtetit është thjeshtë skandaloze! Kjo nuk është ndonjë ngjarje dosido për të cilën askush nuk ndjen nevojë të sqarojë se çfarë saktësisht ka ndodhur e jo më të mbajë edhe përgjegjësi për atë që ka ndodhur. Në një shtet të së drejtës nuk mund të ndodhë që të mos dihet se ku është personi i cili është gjykuar për vepër penale e të cilin e presin edhe shumë aktgjykime tjera për vepra të tjera penale. Në një shtet të së drejtës gjykata nuk kalkulon me afatet dhe nuk i zgjat pa nevojë veprimet procedurale që kjo të rezultojë me arratisjen e të gjykuarit, i cili në vend që të përgatitej për shkuarje në vuajtje të dënimit, e shfrytëzoi mençurisht kohën dhe hapësirën e siguruar nga gjykata për të “fluturuar” nga shteti. Në një shtet të së drejtës gjykata nuk luan kukafshehur me të gjykuarin të cilin për tri ditë rradhazi nuk e gjente dot t’ia dorrëzojë aktin udhëzues për vuajtjen e dënimit. Maqedonia është vend i vogël dhe aty nuk mund të pritet tri ditë për t’u vërtetuar që personi në fjalë e ka lëshuar vendbanimin. Në një shtet të së drejtës gjykata nuk pret të krijohet rrethanë e përshtatshme për t’ia dorëzuar të gjykuarit aktin udhëzues për vuajtje të dënimit, përkundrazi, gjykata vet e krijon këtë rrethanë të përshtatshme dhe nuk pret qetësisht që të kalojë fundjava dhe Gruevski të paratitet në seancën e radhës për rastin Titanik ku poashtu është i akuzuari kryesor. Dhe në një shtet të së drejtës, kur ekziston zbrastirë juridike që nuk përcakton se çfarë bëhet kur i gjykuari i ik pranimit të aktit udhëzues për vuajtje të dënimit përdoret diçka që quhet analogji juridike dhe të cilën gjë gjyqtarët e njohin mirë, e njohin edhe studentët të cilët studiojnë në vit të parë në fakultetin juridik. Kur ka zbrazëtirë juridike kjo zgjidhet sipas situatës së ngjashme në ligj. Situatë e ngjashme është fakti që Ligji për procedurë penale parasheh që në rast se i dyshuari dukshëm i ik pranimit të ftesës për t’u paraqitur para organeve të rendit, i njëjti sillet me urdhër të gjykatës aty. Kur kjo gjë vlen për dikë që është vetëm i dyshuar për një vepër penale, sipas metodës argumentum a fortiori vlen edhe më fort për një të gjykuar i cili duhet të paraqitet në vuajtje të dënimit.

Në një shtet të së drejtës policia nuk shkon t’i trokasë në derë të gjykuarit katër ditë pasi i njëjti nuk është parë më në shtet. Në një shtet të së drejtës policia ka gjithmonë të dhëna të sakta dhe precize për atë se ku gjendet personi i akuzuar për më tepër vepra penale dhe tani më i dënuar për disa prej tyre. Në një shtet të së drejtës nuk manipulohet me nocionin e të drejtave të njeriut. Dëgjova dhe lexova disa mendime sipas të cilave policia nuk ka pasur të drejtë ta ndjekë Gruevskin sepse nuk ka pasur urdhër gjykate për masa të posaçme hetimore ndaj tij, kështu që po ta kishte ndjekur do ia kishte shkelur atij të drejtat e njeriut. Bre, bre, do ia paska shkelur të drejtat e njeriut policia jonë shumë e kujdesshme. Cilën të drejtë të njeriut do ia shkelte polica Gruevskit në këtë rast? Të drejtën e ikjes nga përgjegjësia penale? Atë të drejtë të ikjes nga përgjegjësia të cilën para një kohe e garantoi vetë kryetari i Gjykatës Supreme sipas kërkesës së vetë Prokurorit të atëhershëm shtetëror në rastin Trust kur Sead Koçanit në mënyrë heroike ia hoqën paraburgimit gjersa ai si i pandehur ishte në arrati? Nëse policia jonë shumë gjentile dhe tepër e kujdesshme është shqetësuar për të drejtën e privatësisë së Gruevskit, le ta përkujtojmë që Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut në shumë raste ka gjykuar që kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm dhe për bartës të tanishëm ose të mëparshëm të pozitës zyrtare, e drejta e privatësisë kufizohet dukshëm dhe shkelja eventuale e saj nuk e bën gjykimin të padrejtë. Prandaj, policia në vend se të merrej me mbrojtjen e privatësisë së Gruevskit lidhur me atë se çfarë ka ngrënë natën para se të shkojë në Shutkë, do kishte bërë mirë të kujdesej për pengimin e arratisjes së tij spektakolare. Sepse interesi i përgjithshëm është që bartësi i funksionit shtetëror të përgjigjet për keqpërdorimin e detyrës së vetë zyrtare. Ky është interesi i përgjithshëm, dhe jo rruajtja e të drejtës së privatësisë së Gruevskit.

Në një shtet të së drejtës, ad hoc prokuroria speciale, e krijuar pikërisht për arsye se prokuroria e rregullt nuk e kryente detyrën e saj, nuk ri duarkryq dhe e qetë kur e di që të akuzuarit kryesorë nuk i ka në paraburgim, por përkundrazi, kërkon me ngulm që ata “zotërinj” të vendosen menjëherë në paraburgim pikërisht për shkak të lidhjeve të tyre, miqësive të fuqishme, dhe xhepave të thella përmes të cilave ata mund të kalojnë çdo pengesë dhe çdo kufi, me ose pa pasaportë, me veshje grash ose burrash, pak rëndësi ka kjo. Në një shtet të së drejtës prokurorja special nuk do të kishte mundur t’i mbyllë sytë natën duke ditur se të akuzuarit kryesorë i ka në liri, dhe do të këronte për ta paraburgim, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, sipas të gjitha bazave ligjore, deri sa ta fitonte të njejtin. A thua vallë duhej bindje kaq e thellë për të vendosur dy kushërinjtë në paraburgim, a thua duhej ende bindje edhe pas arratisjes spektakolare dhe pastaj kthimit heroik të Sead Koçanit si dhe arratisjes edhe më spektakolare dhe pa kthim të Grujevskit dhe Boshkovskit?! A thua vallë duhen ende bindje dhe argumente se Mijallkov duhet të shkojë në paraburgim para se të arratiset edhe ai?! Kur DSK ka ndonjë lloj shënimi me të cilin vërteton se Mile Janakievski përgatitet për ikje, a thua vallë çfarë dosje ka ky shërbim për ish-drejtorin e tij, kushëririn-shpëtimtar, tregtarin e deputetëve që siguroi shumicën e nevojshme për ndryshimet kushtetuese?

Në një shtet të së drejtës nuk ka gjëra të këtilla. Në një shtet të së drejtës njeriu përgjigjet me gjithë mend për krimet e bëra. Në një shtet juridik i dënuari nuk përgjigjet vetëm pjesërisht, deri në arritjen e një vendimi të plotfuqishëm. Në një shtet juridik drejtësia realizohet ndërsa dënimi vuhet plotësisht. Në një shtet të së drejtës nuk bëhen kalkulime, por secili përgjigjet individualisht në kufijtë e fajit të tij. Në një shtet të së drejtës nuk ka njerëz të paprekshëm, nuk ka të tillë që mund t’i ikin drejtësisë deri sa bashkëkryerësit e të njëjtave vepra kalben nëpër burgje gjithë jetën.

Në një shtet të së drejtës padrejtësia asnjëherë nuk mund të prodhojë drejtësi, ligji është i njëjtë për të gjithë dhe vlen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Në një shtet të së drejtës të gjykuarit nuk lejohen të ikin dhe nuk kërkohen pastaj për ekstradim përmes kërkesave të cilat dihet që në fillim se do të trajtohen si të papranueshme. Në një shtet të së drejtës kriminelët shkojnë në burg dhe nuk trajtohen si shpëtimtarë të shtetit, edhe kur kanë bërë ndonjë gjë të dobishme për të njëjtin. Por ne fatkeqësisht nuk jemi një shtet i së drejtës dhe as që do të jemi ndonjëherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button