Malmström: BE do të kundërpërgjigjet ndaj tarifave amerikane për automobilat

Bashkimi Evropian (BE) do të kundërpërgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vendosin tarifa ndaj automobilave që importojnë nga unioni, tha komisionerja evropiane për tregti, Cecilia Malmström, transmeton Anadolu Agency (AA).

Tarifat që SHBA planifikon t’i vendosë ndaj automobilave në fjalë janë në kundërshtim me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), është shprehur Malmström për gazetën gjermane Die Zeit.

“Në kundërpërgjigje, edhe ne do të përgatisim shpejt një listë të gjatë sipas rregullave të OBT-së”, ka theksuar Malmström, sipas së cilës, lista e cila do t’i nënshtrohet tarifave mund të përfshijë edhe produkte të tjera, siç janë ato bujqësore.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë më herët se vendi i tij mund të zbatojë tarifa deri më 25 për qind ndaj importeve të automobilave dhe pjesëve të tyre. Në rast të zbatimit, tarifat pritet të prekin më së shumti eksportet gjermane.

Ndërkohë, kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dje deklaroi se është në kontakte të të gjitha niveleve për të evituar një luftë tregtare BE-SHBA, duke paralajmëruar takim të sërishëm me presidentin amerikan Trump gjatë Samitit të Liderëve të G20-tës që do të mbahet në fund të këtij muaji në Argjentinë.

Trump dhe Juncker ishin takuar më herët në korrik në Shtëpinë e Bardhë dhe kishin deklaruar se kanë rënë dakord për një sërë masash për të parandaluar një luftë tregtare.

Teksa negociatat për tejkalimin e mosmarrëveshjeve tregtare vazhdojnë, SHBA dhe BE, të cilat kishin rënë dakord për moszbatim të tarifave shtesë reciproke, kishin vendosur po ashtu të punojnë së bashku për reforma në OBT.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button